Pronarët e Jetski-ve në Velipojë kanë dalë ne një protestë. Ata kërkojnë zgjidhjen e problemit pasi janë të rregullt me dokumentacionin dhe janë të kujdesshëm në lëshimin me qira.
Ata shprehen se nuk kanë asnjë shkresë zyrtare për bllokim.
“Ne ushtrojmë biznesin në Velipojë. Kam 14 vite që punoj te pista, jam zonë emergjente. Vetëm hajrin ma ka parë policia dhe jo sherrin. Shumë jetë njerëzish kemi shpëtuar. S’po na japin zgjidhje, jo sot, jo nesër. Tatimet dhe dokumentet i kemi në rregull, policia nuk po na jep asnjë zgjidhje. Kërkojmë të na japin një përgjigje. Policia na ka thënë vetëm kemi urdhër nga lart. Asnjë vendim, asnjë shkresë. I ka thënë i madhi, i ka thënë i vogli. Na ka dëmtuar se ne kemi kabina, punëtorë, dokumente, paguajmë taksa, tatime. Nuk na lejojnë, nëse do kundërshtojmë forcat e policisë, të çojnë brenda ata. Ec e gjeje të drejtën. Nuk ka kanë dhënë afat, vetëm prit. Kërkesa jonë është të dalim në punë.”
Ndërsa policia kufitare nuk i lejon të dalin në det dhe të ushtrojnë aktivitetin e tyre.
Pronarët e Jetski-ve kanë kërkuar zgjidhjen e problemit pasi me këtë biznes sigurojnë të ardhurat e tyre.
“Pas ngjarjes që ndodhi jemi të mërzitur se jemi familjarë vetë. U bllokua çdo gjë, erdhi një urdhër dhe policia kufitar tha se nuk duhen nxjerrë Jet skit-të në ujë. Kaq ishte dhe nuk kemi gjetur më asnjë mundësi që të dalim t’i hedhim. E pamë të arsyeshme që t’i drejtohemi medies. I bëjmë thirrje të na japin një zgjidhje. Dikush i ka për të ngrënë bukë, dikush i ka për biznes. Unë jam nga ata që e shfrytëzoj në ndonjë rast të veçantë, por më tepër i kam për qef.”
Në vend stacionimin e Jetski-ve në Velipojë sot në mëngjes kanë qenë edhe policia e kufirit ku janë bllokuar 15 Jetski për të mos dal në det. Ata janë të stacionuar në rërë dhe nuk kanë lëvizur.
Ndërkohë ditën e djeshme, pronarë dhe administratorë të mjeteve lundruese dhe detare kanë dalë protestë përpara policisë kufitare në Vlorë.
Ata protestuan për bllokimin e lundrimit të mjeteve lundruese pikërisht në kulmin e sezonit turistik.
Masa erdhi pas tragjedisë në 2 gushtit në Potam të Himarës ku skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare Jonada Avdia në breg të detit.