Policia e Shtetit bën kthesë të papritur pasi testet e drogës nxorën shumë efektivë përdorues të lëndëve narkotike

Policia e shtetit është përfshirë nga skandali pas daljes së përgjigjeve të para për efektivët që bënë testin e drogës. Të paktën 36 efektivë policie në të gjithë vendin rezultuan pozitivë në testin e lëndëve narkotike. Por rezultatet janë kundërshtuar.

Të parët ishin punonjësit e policisë në qarkun e Shkodrës që hodhën poshtë rezultatet dhe kanë paralajmëruar se do të ngrenë padi ndaj laboratorit. Kjo ka bërë që policia të vendoset në lëvizje urgjente ku mund të ndryshohet metoda për normën në analizat që do të kryhen në vijim.

Justifikimi që bindi policinë

Mes efektivëve që kanë rezultuar pozitivë janë policë në moshë të re por edhe mbi 50-vjeç.

Pikërisht këta të fundit kanë deklaruar se arsyeja se përse laboratori i ka nxjerrë përdorues droge nuk është fakti që “kemi konsumuar lëndë narkotike, por për shkak se jemi të sëmurë kronikë dhe përdorim ilaçe të ndryshme”.

Kontestimi dhe argumentet e përdoruara nga efektivët kanë bërë që drejtoria e policisë së shtetit të bëjë prapaktheu për të ndryshuar metodën për normën që do të vendoset si standard.

Testet deri tani janë kryer me analizë urine dhe për efektivët që konfirmohen si përdorues të lëndëve narkotike parashikohet nisja e hetimit disiplinor me qëllim largimin nga detyra, por procesi është pezull deri në ndryshimin e taktikës nëse ndodh./ Abcnews.al

 


Shtuar 8.12.2021 14:54