Policia e Kosovës nisi sot një aksion kundër kontrabandës në disa qytete, përfshirë pjesen veriore të vendit. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt.
Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me gjësende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.
Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje.
Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se në drejtim të tyre janë hedhur tri bomba dore.
Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
Sipas Policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.
Momenti kur policët sulmohen nga qytetarët serbë, para farmacisë në veri.
Në Zveçan u panë edhe gëzhoja plumbash ndërsa rruga pranë “Komova kafana” ishte e bllokuar, ndërsa raportohet se Policia e Kosovës u largua prej aty në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.
Aksioni rezultoi me arrestimin e tetë personave. Bëhet fjalë për gjashtë shqiptar të arrestuar, një serb dhe një boshnjak.
“R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës, A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës, M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri, I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri, M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri”, njoftoi policia.
Policia ka njoftuar se si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve policore dhe të Doganës së Kosovës, janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.
” Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, tha policia./Express