Pesë policë kanë marrë lëndime të lehta dhe katër automjete zyrtare janë dëmtuar gjatë ditës së djeshme në veri.
Në njoftimin e fundit që ka lëshuar Policia e Kosovës thuhet se lëndimet e policëve kanë ardhur pasi protestuesit kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare.
Sipas Policisë, janë dëmtuar tri vetura të EULEX’it dhe disa vetura civile, përfshirë edhe ato të gazetarëve.
“Si pasojë e sulmeve pesë (5) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, janë dëmtuar katër (4) automjete zyrtare, njërës prej tyre iu ishte vënë zjarri duke u dëmtuar në tersi, janë dëmtuar disa vetura civile përfshirë të gazetarëve, si dhe tri (3) vetura të EULEX-it. Po ashtu në disa raste në lokacione të ndryshme janë dëgjuar të shtëna me armë, për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim, Policia ka bërë me dije se ka larguar mjetet transportuese që ishin vendosur nëpër rrugë, në formë barrikadash.
“Individë/grupe të caktuara kriminale, përveç sulmeve ndaj zyrtarëve dhe mjeteve, kanë tentuar të bllokojnë rrugë të ndryshme me zhavor/gurë dhe mjete të rënda transportuese. Policia e Kosovës me qëllim të sigurimit të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ka marrë masa për largimin e tyre dhe pastrimin e rrugëve në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente. Mjetet transportuese janë larguar, rrugët janë të lira për qarkullim, përderisa Policia e Kosovës ka angazhuar njësitet e saja për hetime dhe veprime të mëtejme policore”, thuhet në njoftim.
Rasti është cilësuar si “Cenim i Rendit Kushtetues & Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm & Dëmtim Asgjësim i Pasurisë”./express