Plumba biznesit në Fier, policia zbardh ngjarjen: Një në pranga, një në kërkim

Policia e Fierit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Fermë- Çlirim, ku u qëllua me armë drejt një biznesi. Një nga autorët e dyshuar të ngjarjes është vënë në pranga, ndërsa Geraldo Mahmuti, 30 vjeç, është shpallur në kërkim.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe punës së pandërprerë për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Fermë Çlirim, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të berberhanes së shtetasit B. K., 33 vjeç, shërbimet e Policisë,  bënë të mundur arrestimin e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin Nikola Muçi (Mahmutaj), 22 vjeç dhe po punojnë për kapjen e shtetasi Geraldo Hoxhaj(Mahmutaj), 33 vjeç, banues në Fermë Çlirim.”

Këta shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, ndodhur kohë më parë, me shtetasin E. K., 30 vjeç, klient në berberhanen e shtetasit B. K., kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtij dyqani dhe më pas janë larguar me automjetin tip “ML”, i cili u gjet i braktisur në fshatin Baltëz.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për kapjen e shtetasit Geraldo Hoxhaj(Mahmutaj) dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

/albeu.com


Shtuar 25.12.2023 10:36