Qeveria shqiptare, ka miratuar Strategjinë e Moshimit dhe Planin e Veprimit 2025-2030, një dokument gjithëpërfshirës që synon përmirësimin e jetesës së të moshuarve në vend, përmes lehtësirave ekonomike, rritjes së pensioneve dhe mbështetjes sociale.
Sipas planit të publikuar, të moshuarit pritet të përfitojnë një pension të 13-të, ndërsa pensioni mesatar në qytet do të rritet nga 18,341 lekë aktualisht në mbi 27,511 lekë deri në vitin 2030.
Në zonat rurale, pensioni parashikohet të arrijë në 16,576 lekë. Paralelisht, qeveria synon indeksimin e diferencuar të pensioneve sipas të ardhurave, me fokus në rritjen e pensioneve më të ulëta.
Lehtësira për të moshuarit:
Heqje e taksës së pronës për personat mbi 60-vjeç;
Heqje e taksës vjetore për automjetet për të moshuarit mbi 65 vjeç;
Ulje e çmimit të energjisë elektrike dhe përfshirja në listën e “klientit në nevojë”;
Karta e pensionistit do të lëshohet nga të gjitha bashkitë, duke siguruar përfitime si transport publik falas, lehtësira në strehim dhe shërbime publike;
Rishikim i listës së barnave të rimbursueshme, në favor të të moshuarve me sëmundje kronike si diabet, Alzheimer, Parkinson, apo probleme të shëndetit mendor.
Për pensionistët që vijojnë të punojnë, plani parashikon ulje të tatimit mbi pagën dhe bonuse sipas performancës.
Qeveria thekson se këto masa do të shoqërohen me fushata informuese për të rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtat dhe mundësitë e kësaj kategorie.
Reforma e pensioneve gjithashtu parashikon rritjen graduale të moshës së daljes në pension, me qëllim barazimin më të shpejtë të saj për burrat dhe gratë, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër do të rishikohet edhe formula e përllogaritjes së pensioneve dhe ligji për sigurimet shoqërore.
Plani përfshin gjithashtu:
Përjashtim nga taksa e pronës për pensionistët me pension social ose minimal;
Fondi i kontigjencës për mbrojtjen e të moshuarve në raste krizash;
Bonusi i qirasë për të moshuarit pa strehë;
Mbështetje për të vetmuarit me humbje të autonomisë.
Ky dokument shënon një ndër ndërhyrjet më të gjera të dekadës së fundit për përballimin e plakjes së popullsisë në Shqipëri, që sipas ekspertëve, është ndër sfidat më të mëdha afatgjata për vendin.