Plagosja nga RENEA, 52 vjeçari i dënuar 13 vite më parë për vrasje të dyfishtë

Ardjan Narkaj i plagosuri sot gjatë aksionit të RENEA-s ka qenë një person i shpallur në kërkim për shkak se ka qenë i dënuar me 21 vite burgim.

Mësohet se Ardjan Narkaj ka marrë 3 plumba, në kofshë, gjoks dhe parakrah, ndërkohë që ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.

53-vjeçari Narkaj akuzohet se në vitin 2008 kreu vrasjen e dyfishtë në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi në fshatin Bratosh, ku viktimë mbetën Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota. Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga Policia.

Narkaj për këtë ngjarje u pat arrestuar dhe doli para trupat gjykues ku e mohoi vrasjen, duke deklaruar se atë kreu kushëri i tij. Në vitin 2009 përpara Gjykatës së Shkodrës, Ardjan Narkaj rrëfeu se kushëriri i tij Gjekë Narkaj është autori i vrasjes së dy shtetasve Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota.

“Natën e ngjarjes.- sqaroi Narkaj, ai nuk kishte qenë i armatosur”. Në bazë të rrëfimit të të akuzuarit, dy shtetasit Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota të shpallur në kërkim nga policia, e kishin akuzuar shtetasin Ardjan Narkaj se ai i kishte spiunuar në polici për një ngjarje të ndodhur në zonën e tyre. Këto akuza kishin ardhur pasi shtetasi Gjekë Narkaj kishte nxjerrë një thashethem se Ardian Narkaj kishte qenë spiuni. Pas këtyre akuzave i akuzuari Ardian Narkaj kishte kërkuar takim për sqarim me dy shtetasit Ulaj dhe Shota. Pasi kishin pirë kafe dhe ishin sqaruar në një klub të fshatit, ishin nisur për të shkuar në shtëpi. Rrugës i ka dalë i armatosur shtetasi Gjekë Narkaj, i cili kishte zënë pritë. Po sipas rrëfimit të të akuzuarit, shtetasit Ulaj dhe Shota e kishin përdorur si peng dhe mburojë ndaj shtetasit Gjekë Narkaj, por ky i fundit kishte qëlluar në drejtim të tyre në një moment. Plumbat kishin vrarë Tonin Ulajn dhe Gjergj Shotën, ndërsa Ardjan Narkaj ka mbetur i plagosur në vendngjarje. Në fund të rrëfimit të tij Ardjan Narkaj ka theksuar se për këtë ngjarje ka dhe dëshmitarë të tjerë, të cilët ia ka dhënë dhe trupit gjykues.

Narkaj ishte një listën e personave më të kërkuar nga policia e shtetit. “Ardian Gjelosh Narkaj, i lindur në Malësinë e Madhe, më 18 gusht 1968. I dënuar me 21 vjet burgim për vrasje”, thuhej në njoftimin e policisë së 10 vite më parë. Ndërsa ironia e fatit ndodh, pasi në vitin 2008 Narkaj u akuzua se vrau dy persona në kërkim, sot ai u plagos nga policia se ishte vetë person në kërkim.


Shtuar 25.07.2021 09:50