SHÇBA ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Mamurras, ku mbetën të plagosur tre persona, dy prej të cilëve efektiv të policisë.
Lidhur me këtë janë arrestuar katër persona si të përfshirë. I arrestuar është edhe polici i patrullës në Mamurras David Madani, i cili qëlloi me armë duke lënë të plagosur dy kolegët e tij dhe personin tjetër të përfshirë në konflikt.
Gjithashtu të arrestuar në lidhje me këtë ngjarje janë edhe Gjon Fufi, Rudolf Fufi dhe Nikoll Fufi (Vorfi) i cili mbeti i plagosur me sende të forta në vendin e ngjarjes.
“Në datë 13 prill 2021 në Qendër Mamurras, rreth orës 13:50, tre shtetas kanë goditur me sende të forta një punonjës policie, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën, në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij, punonjësit e policisë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital për kurim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e SHÇBA-së.
Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites, kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F. për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësi e policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit N. V. (M.F), i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras.
Pas sqarimit të situatës, personi është lënë i lirë. Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara punonjësve të policisë me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i policisë D.M. ka qëlluar me armë duke plagosur personat e sipërpërmendur.
SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin ka kryer veprimet hetimore të nevojshme dhe në 13.04.2021 u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve:
– GJ. (G) F., 40 vjeç, lindur e banues në Mamurras;
– N.V. (M.F.), 36 vjeç, lindur e banues në Mamurras;
– R.S. (F), 31 vjeç, lindur e banues në Mamurras.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.
Nga grupi i posaçëm hetimor u sekuestruan si provë materiale 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë D.M. si dhe automjeti tip “Porsche Cayen” me të cilin udhëtonin autorët e dyshuar të ngjarjes.
Gjithashtu nga tërësia e veprimeve hetimore dhe pasojat e ardhura nga përdorimi i armës së zjarrit, u bë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Inspektor D. M., 45 vjeç, me detyrë trupë shërbimi pranë Stacionit të Policisë Mamurras, për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”.