Plagosi aksidentalisht një person, procedohet penalisht 62-vjeçari në Kukës

Foto ilustruese

Kukës / Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, plagosja me armë gjahu e shtetasi D. T.

Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i dyshuar i ngjarjes, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.

Procedohet penalisht edhe i plagosuri, shtetasi D. T., për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.

Në spitalin e Kukësit, është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi D. T., 58 vjeç, banues në Kukës, i plagosur me armë gjahu, për të cilin fillimisht familjarët deklaruan së ishte vetëplagosur aksidentalisht.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje. Nga veprimet hetimore rezultoi se në vendin e quajtur “Kodrat e liqenit të Fierzës”, në fshatin Dukagjin, shtetasi J. E., 62 vjeç, banues në Kukës, gjatë gjuestisë së bashku me shtetasin D. T., aksidentalisht e ka plagosur shtetasin D. T., me armën e gjahut, me të cilën kishte dalë për gjueti.

I plagosuri është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër” shtetasi J. E., banues në Kukës. Gjithashtu, u procedua penalisht edhe i plagosuri, shtetasi D. T., për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan të dyja armë gjahu, të cilat shtetasit J. E. dhe D. T. i kishin me leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 7.10.2022 09:56