Plagosi 5 persona brenda xhamisë, rrëzohet kërkesa e Rudolf Nikollajt për t’u shtruar në psikiatri

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën që Rudolf Nikollaj të shtrohej në spital psikiatrik. Rudolf Nikollaj plagosi 5 persona me thikë në xhaminë ‘Dine Hoxha’ në Tiranë.

Sulmi ndodhi të hënën e 19 majit në xhaminë “Dine Hoxha”. Kjo ishte një ngjarje në kufijtë e një akti terrorist, por që në fakt deri tani nuk po rezulton i tillë. Duket më shumë si një ngjarje e kryer nga një person, që sipas të gjitha të dhënave, nisur edhe nga ato që thonë familjarët e tij, vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Rudolf Nikollaj, një 34-vjeçar, familja e të cilit i përket fesë së krishterë, ndërsa ai vetë është konvertuar në mysliman, u fut dy ditë më parë në xhaminë “Dine Hoxha”, te Rruga e Kavajës në Tiranë, jo për t’u falur, por për të sulmuar besimtarët.

Fillimisht ai goditi me thikë një besimtar që në fakt punonte edhe në picerinë aty pranë, me të cilin u përball në derë të xhamisë. Më pas u fut brenda duke plagosur edhe katër të tjerë, të gjithë të rinj, që po faleshin. Të tjerë besimtarë ndërhynë, duke arritur t’i heqin thikën nga dora e ta nxjerrin jashtë.

Më pas, jashtë xhamisë, ai u neutralizua nga kalimtarë e besimtarë të tjerë, që “e arrestuan”, derisa aty mbërriti Policia.


Shtuar 7.05.2021 12:33