Pipero i bindur: Shumë shpejt hiqet maska në publik, edhe ora policore

Mjeku Pëllumb Pipero thotë se situata epidemiologjike në vend vijon të shkojë drejt përmirësimit dhe shton se shumë shpejt do të hiqet si detyrimi për të mbajtur maskën në ambiente të hapura, ashtu edhe ora policore.

“Maska mund të rezervohet për mjediset e mbyllura. Komiteti Teknik i Ekspertëve besoj shumë shpejt do të na lirojnë nga mbajtja e maskës në mjedise të hapura. Besoj se edhe brenda muajit do të rishikohet dhe ora policore, pse jo edhe për baret dhe restorantet. Besoj se indikatorët janë pozitiv për të lehtësuar masat. Ne duhet të respektojmë masat anti-covid. Maska në mjediset e mbyllura do të në duhet edhe për mjaft kohë”, tha ai.

Mjeku epidemiolog foli për Report TV, ku tha se me fushatën e vaksinimit që ecën me ritme të shpejta vendi do të ketë një verë dhe sezon turistik të qetë e pa pengesa.

“Do jetë një verë e qetë në vendin tonë, Komiteti i Ekspertëve, do të rishikojë masat për të mundësuar relaksim të tyre”, vijoi ai.

Shtuar 18.05.2021 20:06