Pezulloi mësimin, Kushi: Nuk kemi probleme me ngrohjen në shkolla, por kanë ngrirë depozitat e ujit

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar për mbylljen e shkollave fillore gjatë këtyre 3 ditëve.

Kushi u shpreh se arsyeja e pezullimit të mësimit nuk ishin vetëm temperaturat e ulëta, por sipas ministres, fëmujët mund të rrëshkisnin në akull dhe për shkak të ngrirjes së depozitave të ujit.

Ajo gjithashtu ka mohuar se ka problem me ngrohjen nëpër shkolla.

Kushi tha ndër të tjera se këto lloj vendimesh janë dinamike dhe pritet si do të shkojë situata.

Edhe pse ka një numër të lartë infektimesh me Covid-19 te mësuesit dhe nxënësit, ajo e hodhi poshtë si arsye të mundshme për mbylljen e shkollave, duke theksuar se ministria ka përgatitur skenare për ta përballuar.

“Shkollat i mbyllëm se ngrinë depozitat dhe ishte problem rruga e fëmijëve për në shkollë. Pak shkolla kanë problem ngrohjen në vend. Vendimet janë dinamike në varësi të situatës. Por dje ne kemi marrë një vëndim me të cilin jam shumë e kënaqur.

Njëri nga prindërit nëse kanë fëmijë të mitur të mund të qëndrojë në shtëpi dhe të kujdeset për të. Kemi një bashkëpunim të mirë me bashkitë, sidomos këtë vit.

Ky vendim nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e ngrohjes. Sigurisht ka shkolla ku çalon situata por më shumë me mungesën e ujit të pijshëm nëse ngrihet në depozita.

Nuk ka lidhje as me Covidin dhe pse ka një rritje evidente të rasteve pozitive te mësuesit dhe nxënësit.

Kemi disa skenarë që do përshtaten me situatën, që me udhëzuesin fillestar të vitit shkollor, po u përkeqësua situata jemi të përgatitur.

Është vetëm për 3 ditë, që përsëri do e shikojmë si do shkojë.

Zëvendësimi do të ketë një vendim të dytë se si do të aplikohet në zona të ndryshme. Më vjen keq që në disa shkolla të vendit nuk kanë mbërritur në kohën e duhur regjistrat, ka qenë një problematikë që prej ankimimeve nga kompanitë e ndryshme ka krijuar vonesa.

Më vjen shumë keq dhe kërkoj mirëkuptimin e gjithë mësuesve. Vitin e kaluar situata ishte ekstreme, këtë vit është ndryshe”, është shprehur Kushi./albeu.com/


Shtuar 24.01.2022 14:14