Kush janë muxhahedinët e MEK dhe si u strehuan në Shqipëri

Policia e Shtetit zhvilloi sot një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës.

Gjatë kontrollit pati pëplasje mes policisë dhe muxhahedinëve në kamp, të cilët rezistuan për të dhënë dokumentacionin e kërkuar si edhe hapjen e të gjitha ambienteve.

Nga përplasja dhe përdorimi i gazit lotsjellës pati edhe një të vdekur si edhe disa të lënduar, ndërsa në kamp ka shkuar edhe një prokuror nga Prokuroria e Durrësit për të hetuar rrethanat e humbjes së jetës së muxhahedinit. Paraprakisht dyshohet se ia ndërroi jetë nga infarkti.

Ndërkohë, mësohet se nga kontrollet në kamp janë gjetur edhe servera, nga të cilët dyshohet se janë kryer sulme kibernetike. Nuk ka ende të dhëna nëse sulmet kanë qenë brenda vendit apo kanë shënjestruar vende të tjera.

Në një reagim të mëvonshëm Ministria e Brendshme tha se muxhahedinët kishin shkelur marrëveshjen pasi ata janë këtu vetëm për strehim dhe qëllime humanitare dhe jo për të kryer veprimtari të tjera.

Pritet që në orët në vijim të jepet një informacion i detajuar nga Policia e Shtetit në lidhje me dyshimet e forcave të rendit dhe ecurinë e këtij operacioni.

Por kush janë muxhahedinët?

Në Iran janë të shpallur si grup terrorist dhe të padëshiruar, ndërsa kanë mbështetjen e SHBA dhe të Perëndimit. Ishte viti 1965 kur u krijua ky grupim dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, dhe u shpall si “terroriste” nga Ajetullahu Ruhollah Homeini.

Kjo bëri që të detyrohen të largohen nga vendi i tyre, ku një pjesë emigruan në Perëndim dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.

Në Irak ata u përfshinë në organizimin e aksioneve terroriste dhe destabilizuese kundër regjimit iranian, të mbështetur nga diktatori Husein. Për këtë arsye ata u caktuan si organizatë terroriste nga shumë vende perëndimore përfshi edhe SHBA-të.

Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s. Për këtë arsye ata u morën në mbrojtje nga ushtria amerikane.

Si u strehuan në Shqipëri muxhahedinët?

Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA-ve pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit

Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak.

Në vitin 2013, qeveria shqiptare ra dakord me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik. Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së tek PS nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Këtë hap të tij, në reagimet publike, Rama e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës mendohet se është 3500.
Si qeveria e PD, ashtu edhe ajo e PS, kanë ofruar shumë pak informacion në lidhje me marrëveshjen me SHBA dhe numrin e saktë të muxhahedinëve të strehuar në Tiranë./albeu.com/


Shtuar 20.06.2023 12:30