Gjykata e Tiranës ka marrë vendim për Ajas Suljemanin. 39-vjeçari është njohur me masën e sigurisë “arest me burg”.
Përpara gjykatës avokati mbrojtës i Sulejmanit , Elton Hyseni ka kërkuar masë më të butë sigurie për të, arrest shtëpie, me pretendimin se ai është babai i 3 fëmijëve të mitur.
Një tjetër kërkesë drejtuar gjykatës e nga avokat Hysni ishte që klienti i tij të hetojnë me masën e sigurisë burg me afat, deri në përgjigjen e ekspertimit auto teknik si dhe përgjigjes së analizave të urinës dhe gjakut për të parë nëse ai kish konsumuar apo jo lëndën narkotike. Vetë Sulejmani nuk ka folur asnjë fjalë përpara gjykatës, duke u shprehur se jam dakord me avokatin. Në fund gjykata rrëzoi pretendimet e tyre duke i lënë në burg.
Kujtojmë se Sulejmani, me G-CLASS-in e tij të zi kaloi me semafor të kuq të dielën që lamë pas dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi në viza të bardha teksa me vete kishin edhe një foshnje 3 muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim.
Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi paraqitet e qëndrueshme, ndërsa kanë dalë tashmë nga trajtimi intensiv.
Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.
Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.