“Para se të shkoja të votoja, vajta tek parku, aty bleva 5 gramë hashash, 2 i kam pirë menjëherë”.
Kjo ka qenë një pjesë e deklaratës që ka dhënë në Komisariat pas arrestimit nga forcat Shqiponja, 32-vjeçari Arben Mema, i riu që shkaktoi terror mesditën e sotme në Sheshin “Skënderbej”.
Mesohet ditën e djeshme, 32-vjeçari ka marrë një makinë me qira në Kamëz, e sotme kishte shkuar për të votuar në Kombinat, aty ku kishte dhe QV e tij.
Më pas, ai është drejtuar drejt zonës së Yzberishtit në kryeqytet, ku ka përplasur dy makina, ndërsa itinerari i tij ka vijuar me zonën e Freskut.
Edhe në këtë zonë, 32-vjeçari ka përplasur një makinë dhe më pas, nga atje, është drejtuar drejt sheshit “Skënderbej”, ku dhe u neutralizua nga kalimtarët e rastit.
Mema ka pretenduar se nuk mban mend asgjë nga çka bërë më parë, ndërsa kujton vetëm momentin ku me makinën e marrë me qira, është gjendur në mes të sheshit.
Mësohet se i riu është person me rekorde të mëparshme, është ndaluar për përdorim të narkotikëve dhe për një aksident.