Në një deklaratë nga selia blu, lideri demokrat Sali Berisha, kërkon shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, në zonat e përmbytura ditët e fundit nga reshjet e shiut.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë reagimi, duke deklaruar se mosshpallja e kësaj gjendjeje vjen vetëm për të shmangur detyrimin ligjor për dëmshpërblimin e plotë të qytetarëve të prekur.
“Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja të rënda nga përmbytjet. Vetëm në Durrës përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë të mëdha, por nuk është vetëm Durrësi. Nga Gjirokastra deri në Shkodër janë mijëra banesa, biznese, fabrika që kanë pësuar dëme të parikuperueshme.
PD kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Rama apo Ramaduro që bën sehir nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, vetëm se ligji e detyron ata tu përgjigjet një për një dëmeve të krijuar nga fatkeqësia. Ky qëndrim indiferent, cinik është një krim në vetvete. Rama reagon me cinizëm ekstrem, pasi është në kaos ekstrem”, tha Sali Berisha.
