Përmbytjet në Gjermani: Qeveria hedh poshtë kritikat mbi sistemet jofuksiolane paralajmëruese

Qeveria gjermane i është përgjigjur kritikave mbi sistemet e saj paralajmëruese pasi përmbytja më e rëndë në dekada që la të paktën 160 njerëz të vdekur. Ndërkohë, më shumë se 170 njerëz janë ende të zhdukur.

Partia e Gjelbër e opozitës tha se katastrofa tregoi që Gjermania duhet të përgatitet më mirë për ngjarjet ekstreme të motit. Por Ministri i Brendshëm Horst Seehofer i doli në krah veprimeve të qeverisë.

Komunitetet lokale duhet të vendosin sesi të përgjigjeshin, tha ai. Nën sistemin politik të Gjermanisë, shtetet rajonale janë përgjegjëse për përpjekjet emergjente.

“Do të ishte krejt e pakonceptueshme që një katastrofë e tillë të menaxhohej në mënyrë qendrore nga çdo vend” tha ai dhe i quajti kritikat “retorikë të lirë zgjedhore”.

Gjermania shkon në votime në shtator, për të zgjedhur një pasuese të Kancelares Angela Merkel, pasi kjo e fundit del në pension pas 16 vitesh në pushtet.

Sistemet paralajmëruese të përmbytjeve dërguan alarme disa ditë para shiut të madh. Sidoqoftë, ata nuk arritën të kenë komunikimin e nevojshëm që të shpëtonin njerëzit.

Shumë kanë vënë në dyshim dobinë e aplikacioneve paralajmëruese, pasi përmbytjet ndërprenë shumë lidhje telefonike.

Përveç kësaj, shumë faktorë kontribuuan në përmbytjet, përfshirë këtu atë të ndryshimit të klimës./albeu.com


Shtuar 19.07.2021 18:12