Në Zubin Potok, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, ka përfunduar protesta e serbëve lokalë.
Ndonëse në numër më të vogël sesa ditën paraprake, të martën serbët lokalë protestuan sërish në Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave në veri.
Protestuesit po ashtu kërkojnë që Kosova të tërheqë njësitë speciale policore nga veriu.
Në Zveçan, ndërkaq, një zyrtar i Listës Serbe u kërkoi më herët qytetarëve të tubuar që të shpërndaheshin rreth orës 16:00, duke i ftuar për një protestë të re të mërkurën.
Policia e Kosovës dhe trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë qëndruar afër ndërtesave komunale të tri komunave në veri, pasi në mëngjes qytetarët serbë u tubuan pranë tyre.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.
Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”./rel