Përfundon gara e ethshme mes demokratëve në Fier, Kapllanaj nuk ia del të marrë mandatin

Ka përfunduar gjithçka për Agron Kapllanajn në Fier. Kur kanë mbetur edhe 3 kuti për t’u numëuar, atij i duhen edhe 746 vota për të thyer herësin prej 10000 votash për Fierin, gjë që duket e pamundur që të ndodhë.

Deri më tani, kur janë numëruar 577 kuti, Kapllanaj ka marrë 9 255 votaqë që do t’i mjaftonin të skualifikonte burrin më pak të votuar mes  gjashtëshes fituese të demokratëve në Fier.

Edhe pse ka bërë një garë të fortë, aritmetikisht duket e pamundur që ai ta thyejë herësin për aq pak kuti sa kanë mbetur. Kapllanaj ka marrë mesatarisht 16 vota për kuti dhe duke qenë se tani i duhen edhe 749 vota, duket e pamundur që të rrisë befasisht mesataren e votave për kuti nga 16 që e ka aktualisht në 248 që i duhen.

Nëse do të thyente herësin, Kapllanaj do të skualifikonte numrin 5 në listën e Fierit, pikërisht Nusret Avdullain, i cili është përfaqësues i komunitetit çam në Fier. Ky i fundit ka marrë 2 506 vota në rang qarku. Kandidati më pak i votuar në qark është Eralda Bano (Tase) me 1 295 vota, por Kodi Zgjedhor nuk lejon që një burrë të skualifikojë një grua në rast të thyerjes së herësit, rrjedhimisht nëse Kapllanaj do ta kishte arritur atë, kandidati që do të skualifikohej do të ishtë Nusret Avdullai. /abcnews.al


Shtuar 29.04.2021 16:17