Një anketim i zhvilluar nga “Panorama Group” ka synuar të testojë mbështetjen qytetare për emrin që do të dëshironin të shihnin në krye të një qeverie tranzitore. Kjo kërkesë është artikuluar prej një muaji në protestat e përnatshme të mijëra shqiptarëve në shesh, ku kërkohet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe ngritja e një qeverie të re. Sipas organizatorëve të protestës, kjo qeveri do të kishte mandat njëvjeçar për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të barabarta.
Anketimi është realizuar në disa qytete të vendit, duke përfshirë grupmosha të ndryshme. Rezultatet tregojnë se 80 për qind e të pyeturve mbështesin SPAK, ndërsa 78 për qind shprehen pro ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, si emri më i mundshëm për të drejtuar një qeveri të tillë. Kjo mbështetje lidhet me mënyrën se si një pjesë e qytetarëve e perceptojnë punën e tij në luftën kundër korrupsionit dhe në ndjekjen penale të zyrtarëve të niveleve të larta.
Të lidhura
None found
Gjatë kohës kur drejtoi Prokurorinë e Posaçme, Altin Dumani u identifikua me hetime të rëndësishme ndaj ish-ministrave, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, si edhe me çështje të lidhura me krimin e organizuar dhe krimin ekonomik. Veprimtaria e SPAK në mandatin e tij u shoqërua me një sërë hetimesh, si dhe me kërkesa për masa sigurie dhe arrestime ndaj funksionarëve publikë.
Sipas sondazhit, një nga momentet më domethënëse të mandatit të Dumanit ishte kërkesa që iu drejtua Kuvendit për autorizimin e procedurave të lidhura me ish zv.kryeministren Belinda Balluku. Të anketuarit e shohin këtë si tregues të qasjes së tij të prerë ndaj hetimit të zyrtarëve të lartë, duke nënvizuar se ai e mbylli mandatin në dhjetor 2025 pa hequr dorë nga prioriteti i luftës kundër korrupsionit.
Nga ky këndvështrim, mbështetësit e Altin Dumanit e lidhin figurën e tij me pavarësinë institucionale, vendosmërinë në ushtrimin e detyrës dhe përballjen me korrupsionin, edhe në rrethana që, sipas deklarimeve publike, janë shoqëruar me presione dhe kërcënime.
Për herë të parë që pas krijimit të SPAK, opinioni publik pa hetime që prekën nivelet më të larta të pushtetit politik, duke forcuar perceptimin se askush nuk ishte plotësisht i paprekshëm nga ligji. Për një pjesë të qytetarëve, Dumani përfaqëson pavarësi institucionale, vendosmëri dhe zbatim të ligjit pa dallime politike.
Sipas të njëjtit perceptim, ai rrëzoi mitin e pandëshkueshmërisë dhe tregoi me përkushtimin e tij se paprekshmëria e figurave të profilit të lartë politik i përket së kaluarës. Dumani dha mesazhin se një njeri i ndershëm, i mbështetur në forcën e ligjit, mund të çojë përpara drejtësisë edhe pushtetarë që kanë futur duart në xhepat e qytetarëve. Qasja e tij vendosi një standard në drejtësi, me idenë e qartë se “nuk do të kursehet askush, pavarësisht pushtetit apo postit që mban”.
Në perceptimin e të anketuarve, ai i dha një goditje të fortë si politikës, ashtu edhe botës së krimit. Në një kohë kur besimi ndaj klasës politike mbetet i ulët, figura që vijnë nga sistemi i drejtësisë shihen si alternativa më të besueshme. Për këtë arsye, Altin Dumani konsiderohet si njeriu që riktheu shpresën dhe besimin te drejtësia, ndërsa të anketuarit duan t’i besojnë edhe drejtimin e një qeverie të re që do t’u kthente shqiptarëve institucionin e votës së lirë.
