Këngëtari i muzikës popullore, Bujar Qamili ka rrëfyer tmerrin që ka përjetuar pas infektimit me Covid-19.
I ftuar në emisionin “Rudina” nga Rudina Magjistari në “Tv Klan”, Qamili tha se se nuk ka më dëshirë të kujtojë se si e ka kaluar infektimin.
Ai tha se ka qëndruar disa ditë në reanimacion dhe më pas ka kaluar në koma, deri në momentin që është përmendur, çast që i është dukur sikur po jeton një jetë të dytë. Këngëtari shton se në intubim ishte aq agresiv, saqë mjekët janë detyruar t’i lidhin duart pasi dilte jashtë kontrollit.
Pjesë nga biseda:
Rudina Magjistari: Edhe njëherë pak për Covid-in, të shikoj që je mirë, ka kaluar gjithçka, e ke hedhur pas shpine, më trego edhe njëherë sepse është hera e parë që takohemi ballë për ballë pas asaj historie.
Bujar Qamili: Po ta tregoj, po s’kam qejf ta kujtoj më, por ka qenë një moment jashtëzakonisht i vështirë, një moment që është një shprehje shqiptare “armikut mos ia pafsha”. Kaq i rrezikshëm është e kaq keq kam kaluar, të paktën një muaj e gjysmë isha në gjendje shumë të rëndë dhe kam qëndruar për disa ditë me radhë në reanimacion, në gjendje kome derisa jam përmendur, por shansi i madh i imi ka qenë që mjekët italianë më kanë qëndruar pranë dhe më sollën edhe njëherë në jetë. Në intubim isha aq agresiv, saqë mjekët janë detyruar të më lidhin duart pasi dilja jashtë kontrollit.
Rudina Magjistari: Edhe kjo është si një jetë e dytë apo jo? E vlerëson si të tillë, si një shans të dytë?
Bujar Qamili: Duket sikur i kemi dëgjuar spesh ato shprehjet që thonë “ke me vdekë, po do të ringjallesh, do të vish edhe njëherë” e mua më duket, sinqerisht ma beso, më duket sikur kam ardhur.