Përfundimi i afatit për çështjen e targave, Bislimi e Petkoviq pritet të takohen në Bruksel javën e ardhshme

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen javën e ardhshme në Bruksel, raporton KP.

Dy kryenegociatorët për dialogun pritet të diskutojnë për ujdinë e re për targa të automjeteve pak ditë para skadimit të marrëveshjes së tetorit. Nga opozita thonë se janë humbur shumë kohë për një marrëveshjeje teknike e cila nuk është ndonjë e arritur, ndërkohë në shoqërinë civile thonë se është momentumi i duhur për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Takimin e javës së ardhshme e konfirmoi për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai ka thënë se pala kosovare ka gatishmëri edhe për takimet e nivelit të lartë politik, mirëpo të njëjtat duhet të jetë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore.

“Takimet thirren dhe organizohen nga ndërmjetësuesi i këtij procesi. Ato megjithatë duhet të jenë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore. Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmëri për takime të tilla. Kurse sa i përket takimit në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen gjatë javës tjetër”, ka thënë Kryeziu.

Takimet e tilla, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj i quan si teknike që po i humbasin Kosovës muaj të tërë. Ajo thotë se pala kosovare duhet të fokusohet në dialog politik për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Kemi kërkuar që të hiqemi prej dialogut teknik dhe të kalojmë në dialogun politik. Ajo çka duhet të dialogohet është marrëveshja përfundimtare që e njeh pavarësinë e Kosovës, njeh kufijtë aktual, organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo duhet të negociohet dhe jo të humben muaj të tërë dhe të negociojmë për targat që nuk është ndonjë e arritur. Duhet të kalojmë prej nivelit teknik në atë politik dhe kjo qeveri duhet të fokusohet këtu”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se mosarritja e një marrëveshjeje do ta detyrojë BE-në të fajësojë publikisht palën bllokuese të marrëveshjes.

“Nëse e shohim se dialogu është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe marrë parasysh se ka pasur një lloj suksesi marrëveshja paraprake e përkohshme për targa, është momentumi i duhur që pas zgjedhjeve në Serbi kjo marrëveshje të bëhet marrëveshje e përhershme me modalitet të ri që palët të vendosin se si dhe liria e lëvizjes të jetë e zhbllokuar për të dy palët. Ekziston prapë skenari negativ përsëri apo rreziku që kjo marrëveshje të bllokohet më shumë nga pala serbe… Moskalimi i kësaj marrëveshjeje do të bëjë që BE-ja të fajësojë njërën palë publikisht dhe pak a shumë të hedh fajin tek njëra palë si bllokuese, e cila do të ketë pasoja në procese të tjera që lidhen me BE-në”, ka thënë Fetahu.

Deri tani janë mbajtur disa runde të negociatave mes grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për targat, mirëpo ende nuk është gjetur zgjidhja finale. Në tetor të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme gjashtëmujore për vendosjen e afisheve në targat e veturave./kp


Shtuar 16.04.2022 13:45