Përfshihet nga flakët Parku Kombëtar në malin e Tomorrit, bëhet e pamundur ndërhyrja e zjarrëfikseve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në Parkun Kombëtar në Malin e Tomorrit në Skrapar ditën e sotme.

Zjarri mendohet të ketë qenë i qëllimshëm dhe është përhapur me shpejtësi drejt pyllit me pisha të Parkut Kombëtar, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Drejt zonës së zjarrit kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Skraparit dhe punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Terreni tejet i vështirë dhe i pamundur për futjen e mjeteve zjarrfikëse në zonën e zjarrit ka bërë që të punohet për fikjen e flakëve me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine.

Drejt Parkut të Tomorrit, në ndihmë të zjarrfikësve të Skraparit janë nisur forca nga Berati dhe Poliçani, ndërkohë që atyre u janë bashkuar edhe banorë të zonës.


Shtuar 12.08.2024 16:52