Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, këtë javë do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas një komunikate të lëshuar nga Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS), Borrell në Shqipëri do të qëndrojë më 15 dhe 16 mars, ndërsa në Maqedoninë e Veriut më 16 dhe 17 mars. Më 18 mars, ai do të organizojë rundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi në Ohër.
“Këto vizita do të kenë një rast për të analizuar raportet bilaterale të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të marrëveshjeve përkatëse të Stabilizim Asociimit, si dhe të diskutohet zhvillimet e fundit në këto shtete dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në këtë komunikatë.
Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ekziston dhe Këshilli i Stabilizim Asocimit, ku BE-ja dhe vendi i asociiuar analizojnë zhvillimet në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Zakonisht të gjitha takimet e këtij Këshilli zhvillohen në Bruksel apo në Luksemburg. Kjo është hera e parë që takime të tilla zhvillohen në Tiranë dhe në Shkup.
Gjatë këtyre vizitave, Borrell do të jetë i shoqëruar edhe nga komisionari i Zgjerimit, Oliver Varhelyi. Ata në Tiranë do të takohen me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, do të kenë takime dhe me përfaqësuesit e të rinjve ndërsa do të marrin pjesë edhe në inaugurimin e Kullës së Venecias në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga fondet e BE-së.
Në Shkup, Borrell do të takohet me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, por edhe me presidentin Stevo Pendarovski, dhe me një numër ministrash të këtij vendi, shkruan REL. Maqedonia e Veriut ishte shteti i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimorë i cili me BE-në kishte arritur marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, qysh në vitin 2001. Por, u desh të priste deri në vitin 2022 për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Vitin e kaluar, negociatat e anëtarësimit u nisen edhe me Shqipërinë.
Pritet që gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell me mikpritësit e tij të bsiedojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, për pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe rajonin, dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve të përballje me këto pasoja.