Nga Morten Svendstorp “Project Syndicate”
Përktheu: Alket Goce- Albeu.com
Linja e vjetër që “historia nuk përsëritet, por rimon shpesh”, është përshkrimi i duhur i marrëdhënieve në zhvillim mes Perëndimit dhe rivalëve të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik ishte një superfuqi globale, për shkak të aftësive të tij ushtarake.
Sot, ushtria ruse duket se ndodhet në një gjendje të mjerueshme. Gjithsesi ky vend është bërë një superfuqi energjetike, që mund t’i përdorë si një armë rezervat e saj të mëdha të gazit natyror. Po ashtu, përplasja e sotme midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën, i bën jehonë përballjes gjatë Luftës së Ftohtë midis autoritarizmit dhe demokracisë.
Sikurse pritej, presidentit kinez Xi Jinping mori një mandat të tretë 5-vjeçar, diçka kjo e paprecedentë. Më befasuese ishte mungesa e ndonjë shenje se Xi synon të rishikojë politikat që vitet e fundit kanë shkaktuar kaq shumë dëme ekonomike.
Me afrimin e dimrit, ndërprerja e furnizimit me gaz të Bashkimit Evropian nga ana e Rusisë mund të ketë pasoja të rënda, duke shkaktuar krizën më të madhe energjetike në 50 vitet e fundit. Megjithëse rritja e furnizimeve me gaz nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia do të ndihmojë në zbutjen e varësisë së BE-së nga furnizimet ruse në një periudhë afatshkurtër, kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë.
Përdorimi si një armë burimeve të energjisë, nënvizon nevojën e krijimit të një aleance të re midis demokracive të botës. Në Samitin e Sigurisë Energjetike të Detit Baltik mbajtur në Danimarkë dy muaj më parë, Gjermania, Polonia, Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda, Suedia dhe Komisioni Evropian, propozuan një plan paraprak se si mund të jetë një koordinim më i ngushtë në fushën energjetike.
Të gjitha vendet e pranishme nënshkruan një deklaratë, që i detyron ato të rrisin me thuajse 7 herë gjatë 8 viteve të ardhshme kapacitetin e tyre të kombinuar të energjisë së erës në det të hapur. Deri në vitin 2030, fermat e erës në det të hapur vetëm në rajonin e Detit Baltik duhet të jenë në gjendje të prodhojnë 19.6 gigavat në vit, të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat për energji elektrike të 28.5 milionë familjeve evropiane (afërsisht e barabartë me numrin në total të familjeve në të gjitha vendet e Detit Baltik, përveç Gjermanisë dhe Rusisë).
Samiti ishte një hap politik historik, që tregoi se gjeopolitika e energjisë është në fillim të një ndryshimi të madh. Gjatë dekadës së fundit, kostot e energjisë së erës dhe diellit kanë rënë nën atë të karburanteve fosile në shumicën e vendeve. Rritja e shpejtë e energjisë së rinovueshme do të ketë dy pasoja të mëdha.
Së pari, do të dobësohet aftësia e vendeve eksportuese të karburantit për të përdorur burimet e energjisë si armë. Së dyti, ndërsa zbehet rëndësia gjeopolitike e burimeve të karburantit fosil, do të rritet rëndësia e lëndëve të para jetik si mineralet dhe metalet e rralla.
Gjatë dy dekadave të fundit, Kina ka siguruar dominimin e saj global në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve dhe metaleve. Sot, Kina nxjerr 58 për qind, dhe përpunon 85 për qind të mineraleve të rralla, duke i dhënë asaj kontroll mbi pjesët kryesore të zinxhirëve të furnizimit të nevojshëm për të ndërtuar turbina me erë, panele diellore dhe makina elektrike.
Sa për krahasim, pjesa e Arabisë Saudite në prodhimin global të naftës ëshë vetëm 11 për qind. Dominimi i Kinës përbën një shqetësim në vetvete. Por si për t’i përkeqësuar më tej gjërat, edhe ajo ka një histori të përdorimit si armë të burimeve të saj natyrore.
Në vitin 2010, kur një peshkarexhë kineze u përplas me një anije të rojes bregdetare japoneze në ujërat rreth ishujve të diskutueshëm Senkaku, Kina ndaloi eksportet në Japoni të mineraleve të saj të rrallë. Në kundërpërgjigje, Japonia ndërmori hapa të shpejtë për të reduktuar varësinë e saj nga Kina, përfshirë bashkëpunimin me kompanitë minerare për të gjetur burime të reja për të njëjtat materiale, dhe duke ndërtuar kapacitetin e saj të përpunimit të brendshëm.
Evropa, SHBA-ja dhe demokracitë e tjera duhet të marrin parasysh leksionet nga incidenti i Ishujve Senkaku të vitit 2010, dhe të fillojnë të krijojnë një aleancë të re për të siguruar furnizimin me energji dhe lëndët e para jetike. Ne tashmë e dimë, që aleanca të tilla të orientuara nga një mision konkret janë funksionale.
NATO ka qenë një mburojë efektive e demokracisë, tregtisë së lirë dhe sigurisë për shumë dekada. Edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë – e krijuar nga anëtarët e OECD-së pas krizës së çmimeve të naftës së vitit 1973 – ka ofruar një mbrojtje të fuqishme kundër përdorimit të naftës si një armë vendet e OPEC.
Një aleancë e re e energjisë dhe e lëndëve të para, mund të nisë krijohet fillimisht duke përfshirë Japoninë, Australinë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut dhe ato demokraci të Amerikës Latine që mbështesin një rend global të bazuar tek rregullat.
Sipas modelit të IEA-së, ajo do të zhvillonte një kapacitet të përbashkët analitik për të bëë parashikime të rregullta mbi furnizimet dhe kërkesën e lëndës së parë. Dhe ashtu si anëtarët e IEA-së që mbajnë rezerva urgjente nafte, të barazvlefshme me të paktën 90 ditë import, edhe anëtarët e aleancës së re do të mbajnë rezerva të lëndëve të para të rëndësishme strategjike.
Po ashtu kjo aleancë do të vendosë standarde mbi cilësinë e lëndëve të para jetike të përpunuara, si dhe për praktikat e qëndrueshme etike të minierave. Standarde të tilla janë mënyra më efektive për të reformuar mënyrën e nxjerrjes së burimeve të tilla në vendet në zhvillim, ku shpeshherë operacionet dëmtohen nga degradimi i mjedisit dhe kushtet çnjerëzore të punës.
Së fundi, anëtarët e aleancës do të këmbëngulin për ndërtimin e një sistemi tregtar ndërkombëtar të bazuar tek tregu për lëndët e para jetike përmes G7, G20 dhe Organizatës Botërore të Tregtisë. Ata do të koordinojnë dhe promovojnë kërkime që do të synojnë diversifikimin e kërkesës për minerale.
Po ashtu do të krijojnë partneritete të reja publiko-private mbi projektet e ardhshme të nxjerrjes dhe përpunimit të këtyre lëndëve të para shumë të rëndësishme. Përveç fuqizimit të tranzicionit të gjelbër, lëndët e para jetike dhe burimet e energjisë, mund të shndërrohen në një burim paqeje, bashkëpunimi dhe stabiliteti.
Duke u mbështetur tek leksionet që na la kriza e çmimeve të naftës e vitit 1973, ne mund të sigurohemi që të mos përsëritet historia. Ky përfundim do të ishte një tjetër tragjedi, dhe jo një farsë, siç besonte dikur Karl Marx. Por shmangia e saj është e mundur, vetëm nëse demokracitë e botës bëhen bashkë për të bërë atë që nevojitet me synim parandalimin e përdorimit të mëtejshëm si armë të produkteve ekonomike thelbësore.
Shënim:Morten Svendstorp, këshilltar strategjik i Ministrit danez të Klimës, Energjisë dhe Shërbimeve Komunale, dhe bashkëpunëtor në Universitetin Xhorxh Uashington.