Përdornin simbole e sirena policie, e pësojnë keq shoferët në Tiranë (VIDEO)

Policia e Tiranës Tiranë ka nisur kontrollin dhe verifikimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve që përdorin simbole apo shenja dalluese të ndryshme të institucioneve shtetërore, për qëllime abuzive.

Në funksion të kontrolleve të dedikuara për këtë fenomen shqetësues, janë kontrolluar 45 automjete të ndryshme në pronësi ose jo të institucioneve të administratës shtetërore.

Si rezultat janë konstatuar e proceduar administrativisht disa drejtues automjetesh, të cilët kishin vendosur sisteme pamore shtesë, në kundërshtim me dispozitat e parashikuara në nenin 175 të Kodit Rrugor “Qarkullimi i automjeteve dhe motorëve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave”. Drejtuesve të mjeteve që janë konstatuar në këtë shkelje, iu janë pezulluar lejet e drejtimit, sipas afateve të parashikuara në ligj.
Gjithashtu janë proceduar penalisht disa drejtues mjetesh dhe janë shoqëruar në Komisariatet përkatëse disa të tjerë, për veprime hetimore, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Ndërkohë, kontrollet do vijojnë edhe ditët në vazhdim, për evidentimin dhe ndëshkimin e çdo automjeti dhe drejtuesi që abuzon duke përdorur sisteme shtesë, simbole ose shenja dalluese që tregojnë cilësinë e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik.


Shtuar 7.07.2021 13:56