Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, I cili I hap rrugë çeljes së negociatave.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Rama është shprehur se më në fund nuk do të ketë asnjë pengesë.
Postimi i Ramës:
MË NË FUND…
Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund.
U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.
Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t’ia dilnim, do t’ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.
Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t’ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin.
Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t’ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes.
Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s’ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam.
Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë.
Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me votën e tyre, na e kanë besuar neve, socialistëve e progresistëve, këtë mision historik për Shqipërinë dhe po ashtu, faleminderit, atyre që duke mos na e dhënë votën, na kanë bërë më luftarakë e kokëfortë për misionin e Atdheut tonë të përbashkët.
Faleminderit miqve e partnerëve tanë, që të gjithëve, për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë.
Faleminderit në fund, por jo për nga rëndësia, edhe Lindës e fëmijëve, që mbajnë në këtë rrugë barrën e një sakrifice të mundimshme, të cilën veç ata e askush tjetër mund ta kuptojnë dot se çfarë halli është.
Për hajër ❤️/albeu.com/