Partia Demokratike ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes së KAS dhe shqyrtimit të provave, të cilat sipas PD tregojnë manipulimin e votës në zgjedhjet e 25 prillit.
Nëpërmjet një prononcimi për mediat Partia Demokratike shprehet se në Berat 19 persona kanë votuar 53 herë, teksa ka publikuar gjithashtu një dokument që e fakton këtë.
“19 persona kanë votuar 53 herë, mes të cilëve 2 persona kanë votuar 2 herë. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse verifikon që persona të ndryshëm kanë mashtruar duke votuar në emrin e perosnave të tjerë. Në Qarkun e Beratit diferenca për mandatin e pestë të PS dhe mandatit të LSI është vetëm 77 vota. Ky dokument u pranua të merret nga KAS dhe nxjerr në pah parregullsitë proceduriale të procesit të votimit.”– shkruan PD.
Deklarata e plotë:
Kryqëzimi i të dhënave të shenjave të gishtave ka faktuar votimin e parregullt në qarkun e Beratit. 19 persona kanë votuar 53 herë, mes të cilëve 2 persona kanë votuar 2 herë. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse verifikon që persona të ndryshëm kanë mashtruar duke votuar në emrin e perosnave të tjerë. Në Qarkun e Beratit diferenca për mandatin e pestë të PS dhe mandatit të LSI është vetëm 77 vota.
Ky dokument u pranua të merret nga KAS dhe nxjerr në pah parregullsitë proceduriale të procesit të votimit. PD theksoi se nëse KAS do të kishte pranuar të kerkonte edhe prova të tjera për blerjen e votës mes legalizimeve, punësimeve, përdorimit të shtetit për përfitim elektoral, masakra zgjedhore do të ishte shfaqir e plotë para shqiptarëve. PD akuzon KAS se po pengon transparencën e zgjedhjeve.