Drejtuesit e degëve të Partisë Demokratike që kanë firmosur për të thirrur Kuvendin e 11 dhjetorit vijojnë të mbërrijnë çdo ditë në selinë blu për të publikuar emrat e delegatëve në kuadër të transparencës.
Të martën, zyra e shtypit të ish-kryeministrit Berisha njoftoi se do të ishin degët 4 dhe 11 në Tiranë që do të publikonin emrat e delegatëve që kanë firmosur, sipas të njëjtit njoftim deklarata do të mbahej në zyrën e e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Por kur drejtuesit e degës 11 në Tiranë hynë në selinë blu, kamerat u ndaluan të hyjnë në seli.
Por më shumë se kamerat, absurdi në selinë blu ishte tek vendimi për të kyçur dyert e të gjithë korridoreve dhe sallave ku zhvillohen mbledhjet.
Nënkryetari i degës 11 të PD në Tiranë, Luan Buzhiqi sqaroi situatën.
Sipas të dhënave të bëra publike nga përfaqësuesit e degëve 4 dhe 11 në Tiranë, rezulton që nga 111 delegatë të degës 4 kanë firmosur 97 delegatë ndërkohë që në degën 11 nga 117 delegatë kanë firmosur 88 prej tyre./abcnews.al/