Patozi reagon pas gjobës prej 110 milion euro: Ky është përgjegjësi i vetëm!

“Përgjegjësi i vetëm për gropën e zezë në buxhetin tonë je ti…”

Duke reaguar pas vendimit të arbitrazhit që detyron Shqipërinë të paguaj 110 mln euro ndaj biznesmenit italian, kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, thotë se përgjegjësi i vetëm është kryeministri Edi Rama.

Ndaj mos bëj sikur je mërzitur me Lulin dhe me Metën”- thotë Patozi, duke shtuar se Shqipëria e ka humbur përfundimisht gjyqin dhe se shuma duhet paguar nga taksat e shqiptarëve.

Reagimi i plotë:

NËSE SHQIPËRIA KA HUMBUR, PËRGJEGJËSI I VETËM JE TI

Si ishte kjo puna e gjyqit të Beketit, o timonier, se nuk e ke shpjeguar mirë? Ka mundësi më Shqipëria të shpëtojë nga gjoba 110 milion euro, apo është vendim i formës së prerë dhe duhet të bëhemi gati ta paguajmë të gjithë nga taksat tona?

Sepse thua se ka edhe gjyqe të tjera, por nuk e përcakton, nëse është fjala për të njëjtin hall apo për çështje të ngjashme? Ngaqë janë gjëra krejtësisht të ndryshme.

Ndaj mos bëj sikur je mërzitur me Lulin dhe me Metën, se gjoja të kanë shqetësuar, se nuk na interesojnë fare sherret tuaja. Aq më tepër kur keni dhënë shumë prova se i keni falso, ngaqë përqafoheni dhe putheni prapë pas lufte.

Jep përgjigje të qartë për Beketin, sepse nëse Shqipëria e ka humbur për fare gjyqin, përgjegjësi i vetëm për gropën e zezë në buxhetin tonë je ti.


Shtuar 3.04.2021 14:44