Pasi u njoh me parashtrimet e Komisionerit Publik, Darjel Sina dhe të prokurores Anita Jella, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe u dha kohë palëve të përgatisin qëndrimet për disa denoncime të reja.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor për çështjen e prokurores Anita Jella, pasi administroi provat e dorëzuara prej kësaj të fundit si dhe dëgjoi parashtrimet e saj kundër atyre të paraqitura nga Komisioneri Publik Darjel Sina, i cili kërkoi shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për konstatimet në kriterin e pasurisë dhe për profesionalizmin.
Jella i kundërshtoi të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe kërkoi që pas çeljes së hetimit gjyqësor, të lihet në fuqi konfirmimi i saj në detyrë.
Në fillim të seancës publike që zgjati katër orë, kryesuesja e trupit gjykues Ina Rama njoftoi se ndaj subjektit ishin kryer 7 denocnime të reja, një pjesë e të cilave ishin anonime.
Parashtrimet për pasurinë
Komisioneri Sina konsideroi se prokurorja Jella ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, konkretisht lidhur me një apartament banimi me sipërfaqe 113 m2 në Durrës, me vlerë 67 mijë e 900 euro.
Komisioneri evidentoi faktin se në vitin 2016 subjekti ka deklaruar se është kryer këmbimi i apartamentit me sipërfaqe 97 m2 i porositur në 2011-ën nga bashkëshorti me apartamentin me sipërfaqe 113 m2 të porositur nga kunati, i cili ka hequr dorë dhe kompania ndërtuese i ka kthyer atij shumën 71 mijë e 190 euro.
“[…]Nga ky shkëmbim, subjekti i rivlerësimit ka përfituar mbi bazën e vlerës së apartamentit me sip. 97 m2, prenotuar në 2011 për shumën 67.900 euro, apartamentin me sipërfaqe 113 m2 ”, konstatoi Sina dhe shtoi se ky apartament është ende në përdorim të subjektit të rivlerësimit pasi nuk është regjistruar ende pronësia e tij.
Komisioneri vlerëson se Jella nuk e ka deklaruar apartamentin që përdor prej vitit 2011 dhe i konsideroi të pabazuara pretendimet e subjektit se në deklarimet periodike, përpara ndryshimeve ligjore, nuk ka qenë e detyrueshme dhe nuk kërkohej deklarimi i sendeve të paluajtshme në përdorim. Ai argumentoi se detyrimi ligjor i subjekteve deklaruese për pasqyrimin e të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme ka qenë që në krye të herës dhe nuk ka pësuar ndryshime.
Sina konstatoi se Jella ka pasur detyrimin e deklarimit të të drejtave reale që gëzonte mbi këtë apartament të porositur më parë nga kunati, pasi ka kryer investime që prej vitit 2011 dhe se kontrata e energjisë elektrike figuron në emër të bashkëshortit të saj. Sipas tij, duket se ishte dakordësuar prej atëherë se do ishte pikërisht kjo banesë që subjekti do të blinte.
Jella i kundërshtoi shkaqet e ngritura për apartamentin. Ajo shpjegoi se deri në vitin 2010 kishte jetuar me qira dhe tek prindërit e bashkëshortit, ndërsa në vitin 2011 ishin dakordësuar me kunatin që të përdornin apartamentin e tij pasi ai i porositur prej tyre kishte nevojë për më shumë punime për të kryer për t’u bërë i jetueshëm.
Ajo shtoi se në vitin 2013 ishin vënë në dijeni prej vëllait të bashkëshortit se ai do të tërhiqej nga blerja e apartamentit për arsye që lidheshin me punësimin e tij. Sipas Jellës, nisur nga fakti se apartamentet gjendeshin në të njëjtën hyrje, ishte rënë dakord me firmën ndërtuese që të kryhej shkëmbimi pasi kunatit t’i kthehej shuma e paguar.*
Jella vërejti se kontrata de juro e shkëmbimit ishte realizuar në vitin 2016 të cilën e kishte deklaruar. Duke ju referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese ajo theksoi se dhe se deri në atë moment apartamenti kishte qenë vetëm në përdorim dhe nuk gëzonin ndonjë të drejtë reale për të pasur detyrimin për ta deklaruar.
“Vendbanimi im në atë pallat është deklaruar prej meje rregullisht që në kohën që jam vendosur për të banuar aty”, pohoi Jella.
Ajo shpjegoi se çmimi i apartamentit nuk ishte ndryshuar pasi ishin kryer shpenzime për rregullimet në vitin 2011 dhe kjo gjë ishte rënë dakord me shoqërinë ndërtuese. Jella sqaroi se kunati dhe bashkëshorti kanë nënshkruar dy kontrata të ndryshme dhe secili ka marrë kredi të ndryshme.
Subjekti këmbënguli se gjithçka ishte vërtetuar me dokumentacion dhe deklarimet e palëve, ndërkohë që solli në vëmendje se apartamenti i porositur në fillim prej bashkëshortit është legalizuar në vitin 2021 në emër të një shtetasi tjetër me të cilin nuk kanë lidhje. Sipas saj, ky fakt tregon se kunatit i është kthyer gjithë shuma që kishte paguar.
Lidhur me burimet e krijimit të kësaj pasurie, Sina vërejti mospërputhje të shumave të deklaruara për pagesën e këstit të parë. Po ashtu, ai konsideroi deklarative shpjegimet për investimet në apartament në shumën 450 mijë lekë.
Duke ju referuar deklarimeve të gjendjes cash ndër vite, që janë deklaruar si burim për blerjen e apartamentit, Sina konstatoi se vlera 1.8 milionë lekë që përftohet nga shuma aritmetike e kursimeve cash deri në 2010-ën, nuk përputhet me vlerat e deklaruara nga subjekti gjatë hetimit administrativ në shumën 2.2 milionë lekë dhe atë të pasqyruar në deklaratën veting 2.5 milionë lekë. Sipas Komisionerit, vlera e përllogaritur në mënyrë aritmetike ndikon dhe në mbulimin e pagesës së këstit të parë me burime të ligjshme.
Bazuar në këtë konstatime dhe në rekomandimin e ONM-së, Sina vlerësoi se prokurorja Jella ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë, duke mos arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e këtij kriteri.
Jella pretendoi se nuk kishin pasur detyrim në vitin 2011 për të deklaruar shpenzimet e kryera për apartamentin. Sipas saj, ndryshimet ligjore për deklarime të shumave të caktuara u kryen në vitet 2012 dhe 2014.
Ajo deklaroi se dhe nëse ka pasur ndonjë pasaktësi në deklarimet e gjendjes cash, ato duhen vlerësuar si gabim njerëzor dhe i paqëllimtë. Jella këmbënguli se ashtu si është konkluduar dhe nga KPK, ka pasur burime të ligjshme të pasurive dhe se ka provuar bindshëm vërtetësinë e deklarimeve të saj për këtë pasuri duke arritur nivel të besueshëm. “Kam depozituar në KPK jo vetëm të gjitha provat dhe aktet që vërtetojnë jo vetëm ligjshmërinë e pasurive që zotëroj, por edhe që dokumentojnë se kemi pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar çdo shpenzim”, pohoi Jella dhe solli në vëmendje faktin se zotërojnë vetëm një apartament dhe një automjet.
Sipas subjektit, Komisioneri duhej të kishte zbatuar parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit në lidhje me diferencat e deklaruara prej saj për likujditetet cash.
Në fund të seancës, realtorja Natasha Mulaj i drejtoi Jellës 11 pyetje për apartamentin për të cilat iu kërkua të përgatitej në seancës e ardhshme.
Qëndrimet ndryshe për profesionalizmin
Ndryshe nga KPK që ka çmuar t’i dërgojë për inspektim në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, ILD çështjet penale të hetuara nga subjekti ku janë gjetur probleme apo mangësi, Komisioneri Sina vlerëson se rezultojnë të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar aftësitë profesionale të subjektit brenda juridiksionit rivlerësues.
Sina renditi çështjet për të cilat pretendon se janë gjetur probleme. Sipas tij, Jella ka kryer hetim jo të plotë për një të proceduar në vitin 2014 për prodhim dhe shitje të narkotikëve duke pushuar çështjen në ngarkim të tij, megjithëse konstatohen mospërputhje midis deklaratës së të dyshuarit me rezultatet e analizave të ekspertimit, të ndërmarra në kuadër të këtij hetimi.
Prokurorja Jella shpjegoi se nga akti ekspertimit kishte rezultuar se lënda që ishte gjetur në banesën e të proceduarit nuk ishte narkotike dhe se për këtë arsye ishte kryer pushimi i çështjes. Ajo u shpreh se në këtë rast nuk mund të ndikonte fakti se i hetuari kishte precedentë të mëparshëm penalë. Subjekti theksoi se Komisioneri nuk ka kompetencë të vlerësojë në mënyrën e zgjidhjes së çështjes.
Në vijim, Sina u ndal në procedimet penale ku sipas tij vlerëson mangësi të subjektit në aspektin drejtues. Për një procedim penal të vitit 2019, për të cilin është pretenduar në denoncimet nga publiku se subjekti ka ndikuar në pushimin e çështjes ngarkim të një gjyqtareje, Komisioneri e konsideroi të pabazuar konkluzionin e Komisionit se nuk mund të jetë penalizues fakti se subjekti nuk ka ushtruar kontroll për mbi mos hetimin e magjistrates së kallëzuar.
Jella solli në vëmendje faktin se periudha e rivlerësimit për aspektin profesional përfshin vitet 2013-2016. megjithatë, ajo dha shpjegime të hollësishme për secilën prej shkaqeve të ngritura nga Komisioneri.
Ajo e kundërshtoi pretendimin e Komisionerit se hetimi i gjyqtares Z.S. për dyshimet për korrupsion ishin kompetencë e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Ajo evidentoi faktin se përderisa ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda e kishte dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës dhe kjo e fundit e transferoi në Durrës, tregon se nuk ishte evidentuar element lidhur me korrupsionin.
Sipas Jellës, gjykata e kishte kthyer për të pushuar çështjen në tërësi dhe nuk kishin vlerësuar në asnjë rast se nuk ishin kryer hetime të plota nga prokuroria.
Për një procedim tjetër të vitit 2019 ku ishin hetuar zyrtarë të Kadastrës dhe ALUIZNI-t në Durrës, Sina vërejti se në denoncim është pretenduar që subjekti me qëllim të ketë vonuar kërkesën e prokurorit të çështjes për kërkimin e masës së sigurisë ndaj personave të dyshuar.
Sipas Komisionerit, nuk provohet një mbledhje e pretenduar prej subjektit si arsye për shtyrjen e depozitimit të kërkesës, apo që kjo mbledhje të jetë mbajtur. Sina evidentoi dhe faktin se gjykata e ka gjetur të drejtë kërkesën e prokurorit duke caktuar “arrest në burg” për personat e dyshuar.
“Ndryshe nga sa ka vepruar në raste të tjera duke pretenduar se ka kompetenca të kufizuara, duke vepruar si drejtuese ka sjellë vonesa të panevojshme që perceptohen në drejtim të mbrojtjes së personit nën hetim”, deklaroi Sina në seancë.
Sina solli në vëmendje edhe pretendimin tjetër në denoncim për mungesë të koordinimit në regjistrimin dhe shpërndarjen e procedimeve penale në prokurorinë e Durrësit në muajin gusht të vitit 2019, kur ky institucion drejtohej nga subjekti.
Një rast kur për hetimin e një çështje në muajin gusht të 2019-ës janë përfshirë tre prokurorisë, Sina e konsideroi si menaxhim të gabuar të burimeve të institucionit.
Sipas Sinës, pasiviteti i Jellës në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë në lidhje me eficencën, shpërndarjen dhe regjistrimin e çështjeve, ka cenuar besimin e publikut në punën e prokurorisë, duke ndikuar dhe në detyrat funksionale të prokurorëve.
Prokurorja Jella shpjegoi gjatë lidhur me këtë denoncim. Ajo vërejti se ditën kur prokurori A.N. kishte pasur gatishmërinë në muajin shtator të 2019-ës, kishte mbërritur një denoncim anonim. Ajo deklaroi se pasi prokurori kishte marrë kallëzimin anonim, pa i bërë hyrje në prokurori, ka shkuar në polici dhe ka kryer veprime hetimore duke kryer veprime hetimore si dhe ka urdhëruar ndalimin e shtetases L.K.. Jella vijoi se A.N. ka regjistruar procedimin penal ditë të dielë dhe ka kërkuar në gjykatë vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj kësaj shtetaseje.
Jella sqaroi se në ditët në vijim ka mësuar se kjo shtetase po hetohej me veprime proaktive dhe seksioni ekonomik i prokurorisë ndërkohë që për veprimet e punonjësve të kadastrës ishin regjistruar dy procedime. Sipas subjektit, ajo u kishte kërkuar prokurorëve të zhvillonin një mbledhje ku të diskutoheshin çështjet dhe ecuria e tyre, por prokurori A.N. nuk është paraqitur.
Prokurorja Jella solli në vëmendje se bazuar në hetimet proaktive të procedimeve të tjera ishte bërë e mundur që më vonë të arrestoheshin 27 persona, punonjës dhe ish-punonjës të Kadastrës Durrës.
Kjo tregon se sa e rëndësishme ishte për mua marrja e masave për të mos dëmtuar vijueshmërinë e hetimeve të këtij procedimi penal, si dhe të mos cenoja pavarësinë në hetimin e procedimit penal që ndiqej nga prokurori A.N.”, pohoi Jella e cila në fund kërkoi të mos pranohet ankimi i Komisionerit dhe të lihet në fuqi konfirmimi i saj në detyrë.
Në fund trupi gjykues vendosi t’u japë kohë palëve për të përgatitur qëndrimet për denoncimet e reja dhe e shtyu seancën për më datë 20 dhjetor, ora 10:00.