Pas thatësirës së madhe, Spanja në alarm nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet

Një pjesë e madhe e Spanjës është vënë në alarm për shkak të motit të keq që po prek Gadishullin Iberik, ku shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje, pas muajsh thatësire.

Shirat e dendur dhe stuhitë – shumë vonë, sipas ekspertëve, për të zgjidhur problemin e mungesës së madhe të ujit në vend – goditën fundjavën kryesisht në juglindje, provincat e Almeria dhe Alicante. Shi i rrëmbyeshëm ra edhe mbrëmjen e së hënës në Madrid, duke bllokuar trafikun në disa rrugë dhe duke vonuar disa linja metroje për shkak të prurjes së konsiderueshme të ujit.

Shërbimi Meteorologjik Spanjoll (Aemet) ruan sot në shumë zona nivelin e alarmit të ngjyrës “të verdhë” apo “portokalli”, pasi ekziston rreziku për breshër. Moti i keq parashikohet të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Këto reshje do të kenë një kontribut të rëndësishëm dhe pozitiv në deficitin e reshjeve me të cilin përballet Spanja prej muajsh, pasi thatësira me përmasa historike që goditi vendin në muajt e mëparshëm ka pasoja të rënda në sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se gjatë shirave të rrëmbyeshëm, gjatë të cilave uji nuk ka kohë të depërtojë në tokë, ato janë të pamjaftueshme dhe shumë vonë për të mbuluar deficitin dhe për të mbushur rezervuarët. Sipas Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik, gjatë javës së fundit të majit niveli i ujit në rezervuarë ka rënë në 47,5% të kapacitetit të tyre, nga 47,7% që ishte javën e kaluar. Gjatë dekadës së fundit rezervuarët në këtë periudhë të vitit kanë qenë mesatarisht 68.1% të mbushura.

Aemet vuri në dukje se prilli i kaluar ishte më i nxehti dhe më i thati i regjistruar që nga fillimi i regjistrimeve të motit në Spanjë. Viti 2022 konsiderohet si viti më i ngrohtë në historinë e vendit.


Shtuar 30.05.2023 18:18