Pas disa muajsh e mbetur peng në Kuvend, palët duket se kanë gjetur dakordësinë për miratimin e amnistisë penale. Ditën e sotme, pritet që të marrë dritën jeshile, pasi Gazment Bardhi deklaroi votën pro, ndërsa paraqiti edhe 3 propozimet e Rithemelimit.
Bardhi kërkon faljen e të gjithë protestuesve, si dhe përjashtimi nga amnistia i zyrtarëve të lartë të dënuar nga GJKKO.
Tre amendamentet e propozuara nga Bardhi, u përshëndetën edhe nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Vetë ai përmes një postimi në rrjtete sociale një ditë më parë, pohoi se këto kërkesa do të kenë dakordësinë e maxhorancës. Nga amnistia penale pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur.
Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së sotme do të futen në rend dite për votim 5 ligjet e seancës së 7 marsit, votimi i të cilave u anulua nga Sekretariati i Etikës, pas kërkesës së Rithemelimit se nuk pati kuorum për votimin e ligjeve.
Ndër këto 5 ligje, përfshihet edhe ai për zgjatjen me 1 vit të afatiti për ligjet për investimet strategjike, çështje të cilën opozita e ka kontestuar shumë.
Po ashtu, sot deputetja Ina Zhupa, ka kërkuar një interpelancë me ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro për ligjin për zonat e mbrojtura.
3 propozimet e Rithemelimit
1.Propozim që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale, të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.
2. Propozim për përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
3. Propozim për një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.