Pas 18 vjetësh martesë, kryeministri i Kanadasë ndahet nga bashkëshortja

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau dhe gruaja e tij, Sophie Grégoire Trudeau, po ndahen dhe kanë nënshkruar një marrëveshje ligjore, tha zyra e tij në një deklaratë të mërkurën që duket se shënon fundin e martesës 18-vjeçare të çiftit.

Trudeau, 51 vjeç dhe Grégoire Trudeau, 48 vjeç, u martuan në fund të majit 2005. Ata kanë tre fëmijë.

“Sophie dhe unë dëshirojmë të ndajmë faktin se pas shumë bisedave domethënëse dhe të vështira, ne kemi marrë vendimin për t’u ndarë”, tha Trudeau në Instagram. Sophie ka postuar një mesazh pothuajse identik në llogarinë e saj në Instagram.

Zyra e Trudeau tha se të dy kishin nënshkruar një marrëveshje ligjore.

“Ata kanë punuar për të siguruar që të gjithë hapat ligjorë dhe etikë në lidhje me vendimin e tyre për t’u ndarë janë ndërmarrë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë duke ecur përpara”, tha zyra e Trudeau.

Pasi Trudeau u bë kryeministër në fund të vitit 2015, ai dhe Grégoire Trudeau u panë shpesh së bashku në funksione sociale dhe në udhëtime të huaja. Por vitet e fundit, Sophie i ka kufizuar paraqitjet e tilla me bashkëshortin e saj.

Ata të dy udhëtuan në Londër në maj për kurorëzimin e mbretit Charles dhe ishin bashkë kur presidenti amerikan Joe Biden vizitoi në fund të marsit.

Trudeau dha një konferencë shtypi të hënën dhe bëri një udhëtim në metronë e Torontos atë natë, por nuk ka pasur asnjë dalje publike të planifikuar për dy ditët e fundit.

“Ata mbeten një familje e ngushtë dhe Sophie dhe kryeministri janë të fokusuar në rritjen e fëmijëve të tyre në një mjedis të sigurt, të dashur dhe bashkëpunues”, thuhet në deklaratë. “Familja do të jetë së bashku me pushime, duke filluar nga java e ardhshme.”

Zyra e tij kërkoi respektimin e privatësisë së tyre. Trudeau është kryeministri i dytë që njoftoi një ndarje gjatë kohës që ishte në detyrë.

Babai i tij, Pierre Trudeau, u nda nga gruaja Margaret në vitin 1979 dhe të dy u divorcuan në 1984.


Shtuar 2.08.2023 19:27