“Paratë ose të solla shqiptarin”, si i kërcënonte bosi britanik i krimit borxhlinjtë

Në mënyrë që t’u merrte borxhet prej mijëra paundësh, një bos i krimit në Britani i kërcënonte borxhlinjtë se për të zgjidhur hallin mund të fuste në lojë edhe “shqiptarin”.

Bëhet fjalë për Asim Tufail, një 52-vjeçar i cili rrezikon një dënim të gjatë në burg për rolin e tij në trafikun e drogës e armëve.

Siç shkruajnë mediat britanike, ai ishte gjithashtu i përfshirë në operacionet ndërkombëtare të pastrimit të parave. Hetuesit thonë se, ndër të tjera, ai vepronte në emër të kriminelëve të tjerë për të “marrë borxhet”.

Në seancën e mbajtur në gjykatën e Manchester u mësua sesi 52-vjeçari u thoshte borxhlinjve se kriminelëve për të cilët vepronte, ‘u kishte ardhur në majë të hundës nga lojërat e gënjeshtrat’, pasi borxhi prej 600 mijë paundësh nuk ishte shlyer. Ai më pas u kërkoi aktet e pronësisë së një prone, në vend të pagesës.

52-vjeçari po ashtu e kërcënoi personin në fjalë me ndërhyrjen e ‘shqiptarit’, tha prokurori Tim Storrie, pa specifikuar se për kë shqiptar bëhej fjalë.

Dënimi për Tufail pritet që të jepet ditën e sotme, pasi është shpallur fajtor për një seri akuzash. Pjesë të aktivitetit të tij kriminal ai kishte bërë edhe të birin, Junnaid Tufail, 23 vjeç. Ky i fundit, të atin e përshkruajti si ‘baba model’. Edhe 23-vjeçari i ka pranuar akuzat për disa krime që lidhen me drogën dhe armët.

Dyshja po ashtu reklamonte armë zjarri për shitje te kriminelët e tjerë në rrjetin e komunikimit EncroChat. Në këtë aplikacion 52-vjeçari mbante pseudonimin ‘Assassin New’, ndërsa i biri ‘Baby Assassin’. Ata u arrestuan të dy në Aeroportin e Manchester në Janar të 2021 teksa ishin nisur për në Dubai.

Babë e bir jetonin në Northenden, mes pasurisë marramendëse.


Shtuar 10.04.2024 11:31