Parashikimi i motit 29 prill 2024, kthellime dhe rritje temperaturash

Vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, pasi fillimi i javës parashikohet me mot me diell dhe temperatura relativisht të larta, por më pas nisin edhe reshjet e shiut.

Në këtë mënyrë, për ditën e sotme dhe atë nesërme, moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin si dhe temperatura disa gradë më të larta për periudhën që ndodhemi.

Më pas duke filluar nga dita e Mërkurë dhe deri ditën e Premte, pritet një paqëndrueshmëri e kushteve atmosferike.

Moti parashikohet me kthjellime si dhe vranësira mesatare, deri të dendura të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe kryesisht intensitet të ulët.

Në periudha afatshkurtra këto reshje, do të jenë me intensitet deri dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Era përgjatë këtyre ditëve do të fryjë me drejtim kryesor, nga kuadrati i jugut e lehtë dhe shpejtësi mesatare 1-5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore, ajo hera-herës bëhet relativisht intensive dhe shpejtësi deri në 8-12m/s.


Shtuar 29.04.2024 07:53