Mbrëmjen e sotme një atentat me armë zjarri ndodhi në Elbasan ku mbeti i vdekur shtetasi Everest Çaka.
Alarmin për vrasjen e Everest Çakës e dha bashkëshortja e tij, e cila dëshmoi atentatin ndaj bashkëshortit të saj, mori menjëherë Policinë në telefon.
Edhe pse e plagosur në dorë dhe në gjendje të rëndë psikologjike gjeti “forcat” për të kërkuar ndihmë.
Sipas Policisë, Silvana Caka u gjet jashtë makinës duke qarë në momentin kur efektivët mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërsa në dorë kishte një plagë të shkaktuar me armë zjarri.
Ngjarja:
41 vjeçari Everest Çaka u ekzekutua brenda makinës së tij ku ndodhej bashkë me bashkëshorten, ndërkohë që kjo e fundit ka mbetur e plagosur lehtë.
Everest Çaka rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin, ndërsa quhej edhe Ibrahim Çaka. Ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e drogës edhe në Belgjikë.
Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua.
Në prangat e Policisë ranë në atë kohë, Ibrahim Çaka, Elton Hyka si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës së sotme në një disko në Barcelonë në vitin 2007.
Vrasja e Arjan Spahiut në Belgjikë
Gjatë këtij viti u ekzekutua në Belgjikë, Arjan Spahiu, djali i tezes së Everest Çakës, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e sotme. Spahiu rezulton të ketë lidhje familjare me një tjetër personazh të botës së krimit në Elbasan, Erion Alibej, kunati i motrës së tij.
Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan. Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në korrik 2020, teksa ka dyshime të forta se pikërisht ky person ka gisht dhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.