Pa armë bërthamore, por me raketa balistike, avionë e dronë/ Kjo është fuqia ushtarake e Iranit

Lindja e Mesme ka tashmë një vatër të re konflikti. Irani ka nisur sulmet ajrore ndaj Izraelit, në shenjë hakmarrje për bombardimin e ambasadës iraniane në Siri ku u vranë 7 persona. Kjo është hera e parë që Irani dhe Izraeli konfrontohen ushtarakisht drejtpërdrejt.

Por cila është fuqia ushtarake e Iranit, në kushtet kur dihet se sa e fortë dhe moderne është ushtria e Izraelit?

Sa i përket fuqisë së përgjithshme ushtarake, forcat e armatosura të Iranit renditen të 14-at në botë në një listë prej 134 vendesh që është përpiluar në vitin 2019.

Pa bomba bërthamore, por me shumë milici

Iranianët kanë program shumë të diskutueshëm bërthamor, por tani për tani, nuk kanë kapacitet për të bërë armë. Teherani disponon program me raketa balistike, por jo raketa me rreze të gjatë që mund t’i arrijnë Shtetet e Bashkuara.

Po ashtu, Irani nuk ka ndonjë “mik” të madh në rajon. Irani ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, por asnjë aleat të fortë, fuqi të madhe, nuk e ka partner strategjik.

Irani, i cili cilësohet si një nga vendet më të izoluara në botë, zbaton një strategji të luftërave të milicive ose kryen sulme asimetrike, duke shfrytëzuar dobësitë e forcave amerikane dhe atyre që udhëhiqen nga SHBA-ja.

Buxhet modest për ushtrinë

Buxheti i mbrojtjes i Iranit në vitin 2018, sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, ka qenë mbi 13 miliardë dollarë.

Por, Teherani qëndron larg rivalëve rajonalë, si Arabia Saudite, e cila ka shpenzuar 70 miliardë dollarë, dhe Izraeli 18.5 miliardë.

Shteteve të Bashkuara, me një buxhet prej 700 miliardë dollarësh, as që mund t’iu afrohet.

Për më tepër, shpenzimet ushtarake të Iranit janë zvogëluar me 9.5 për qind në vitin 2018, krahasuar me vitin paraprak, për shkak të problemeve të mëdha ekonomike, që ia kanë shkaktuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara – një strategji kjo që Uashingtoni i referohet si “presion maksimal”.

Megjithatë, establishmenti ushtarak i Iranit, sidomos Garda Revolucionare, nuk varet shumë nga buxheti i shtetit sa u përket fondeve, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive, me seli në Uashington.

“Establishmenti ushtarak kontrollon (një të pestën) e vlerës së tregut të kompanive, të listuara në Bursën e Teheranit, dhe zotëron mijëra kompani të tjera, që sjellin të ardhura për forcat e armatosura. Për më tepër, Garda Revolucionare kontrollon një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë nëntokësore të Iranit”, thotë Fondacioni për Mbrojtje të Demokracive.

Me ushtrinë më të madhe në Lindjen e Mesme

Sa i përket fuqisë së përgjithshme ushtarake, forcat e armatosura të Iranit renditen të 14-tat në botë në një listë prej 134 vendesh që është përpiluar në vitin 2019 nga Global Firepower dhe Business Insider.

Me rreth 523,000 forca në detyrë dhe 350,000 rezervë, Irani ka ushtrinë më të madhe aktive në Lindjen e Mesme.

Focat aktive përbëhen nga 350,000 ushtarë të rregullt dhe së paku 150,000 pjesëtarë të Gardës Revolucionare, e cila ka pushtetin më të madh në ushtrinë iraniane.

Komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, raporton drejtpërdrejt tek udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Garda Revolucionare përbëhet nga pesë nëngrupe. Një prej këtyre nëngrupeve, Forca Kuds, është udhëhequr me dekada nga Soleimani, derisa u vra në një sulm me dron nga SHBA-ja. Forca Kuds është e ngarkuar me operacione jashtë shtetit, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Vlerësimet për numrin e saktë të pjesëtarëve të saj ndryshojnë.

Por, Jack Watling, nga Instituti për Shërbime të Bashkuara Mbretërore, ka vlerësuar për NBC News se ajo numëron 17,000 deri në 21,000 anëtarë.

Një tjetër nëngrup i Gardës Revolucionare është milicia Basij, një forcë paraushtarake me 90,000 anëtarë, të mobilizuar për të zbatuar rendin.

Si shumë institucione të ndërlidhura në Iran, Basij është formuar fillimisht si forcë vullnetare, gjatë luftës Iran-Irak. Por, që atëherë, “është bërë një pjesë e ngulitur e shtetit”, shkruan Washington Post.

Nën komandën e Gardës Revolucionare veprojnë edhe 20,000 pjesëtarë të forcës detare, të vendosur kryesisht në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo Ngushticë, ku kalon mbi 20 për qind e tregtisë globale të naftës, është një rrugë e rëndësishme dhe ka qenë shpesh skenë e konfrontimeve midis anijeve iraniane dhe atyre me flamuj të huaj, në vitin 2019.

Edhe pse më e vogël në numër, Garda Revolucionare është më e fuqishme se ushtria e rregullt, për shkak të natyrës së degëzuar të shtetit iranian. Dhe, për këtë arsye, marrëdhëniet midis qeverisë dhe Gardës Revolucionare kanë qenë gjithmonë të tensionuara.

Tanket

Irani ka 1,634 tanke, duke u renditur i 18-ti në mesin e 137 vendeve. Ky numër mbështetet nga rreth 2,345 automjete të blinduara luftarake dhe 1,900 raketahedhës.

Tanket, megjithatë, janë modele të vjetra. Vetëm modeli i ri “Karrar” mund të krahasohet me disa tanke më të mira në botë.

Edhe pse “Karrar” duket shumë i ngjashëm me prodhimin e njohur rus, “T-90”, Irani i ka hedhur poshtë sugjerimet se ka bashkëpunuar me Rusinë në prodhimin e tij.

Marina

Marina iraniane është krahasimisht një forcë modeste, e cila nuk ka as transportues aeroplanësh, as shkatërrues.

Marina e Iranit posedon gjashtë luftanije, tri korveta, 34 nëndetëse dhe 88 anije patrullimi.

“Fluturuesit e shpejtë”

Me rreth 509 avionë luftarakë, Forca Ajrore e Iranit mbetet larg – si për nga sasia, ashtu edhe cilësia – kundërshtarëve rajonalë, si Arabia Saudite dhe Izraeli, që kanë 848, respektivisht 595 aeroplanë në flotat e tyre, raporton National Interests.

Pjesa më e madhe e forcave ajrore të Iranit daton në epokën e Shahut ose është mbetje nga forca ajrore irakiane e diktatorit Saddam Hussein.

Forca irakiane i ka çuar shumë nga aeroplanët e saj në Iran gjatë Luftës së Gjirit Persik, më 1991, për të shmangur shkatërrimin e tyre nga forcat e drejtuara nga SHBA-ja.

Forca Ajrore e Iranit mban nofkën “Tizparvazan” (“fluturues të shpejtë”).

Pas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – e cila i hoqi Iranit disa sanksione të ashpra ndërkombëtare – ky vend pati një mundësi të shkurtër për të përmirësuar forcën e tij ajrore.

Mirage 2000 i Francës ka qenë një opsion, por Teherani përfundimisht ka vendosur kundër tij, sepse ka qenë më familjar me aeroplanët e prodhuar në Amerikë dhe Rusi.

Irani po ashtu ka pasur shansin të blejë 30 avionë të sofistikuar Su-30 nga Rusia, por ka hequr dorë, raporton National Interests.

“Kjo ndoshta ka ndodhur sepse paraushtarakët e Gardës Revolucionare nuk janë pajtuar kurrë që ushtria e rregullt iraniane të bëhet shumë e fuqishme”, shkruan revista amerikane.

Raketat

Si pasojë e sanksioneve amerikane, që i kanë zvogëluar Iranit eksportet e naftës, importet e pajisjeve ushtarake në Iran kanë rënë ndjeshëm, viteve të fundit.

Importet e armëve në Iran kanë rënë në mënyrë drastike në vitin 2018 dhe importet e përgjithshme të vendit për ushtrinë e tij – nga viti 2009 deri më 2018 – kanë qenë vetëm 3.5 për qind e importeve të përgjithshme të Arabisë Saudite gjatë së njëjtës periudhë kohore.

Për këtë arsye, Teherani është dashur të mbështetet gjithnjë e më shumë në zhvillimin e teknologjive vendase për nevojat e tij ushtarake, përshirë importet e pajisjeve më të lira, që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina.

Irani po ashtu mbështetet në zhvillimin e raketave dhe thuhet se ka sistemin më të zhvilluar të raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në rajon.

Përveç tjerave, Irani ka raketa Shahab 1, me rreze prej 300 kilometrash, gjë që e ka bërë Uashingtonin të instalojë sistemin e tij anti-raketor Patritot në disa vende fqinje të Iranit, për t’iu kundërvënë kërcënimeve të mundshme.

Teherani ka punuar edhe në zhvillimin e raketave interkontinentale, edhe pse programet e tilla janë pezulluar pasi Irani ka arritur marrëveshje me gjashtë fuqi botërore në vitin 2015, për të kufizuar programin e tij bërthamor.

Pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja, më 2018, Irani ka nisur gradualisht t’i injorojë kufizimet e parapara me marrëveshje. Pas vrasjes së Soleimanit, ka thënë se ndalon së zbatuari marrëveshjen.

Ky zhvillim lë hapur mundësinë e Teheranit për të rinisur përpjekjet për zhvillimin e raketave ndërkontinentale.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, raketa Shahab 3, me një rreze prej 2,000 kilometrash, mund të godasë Izraelin.

Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike gjithashtu raporton se Irani ka 32 bateri të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-300.

Lufta kibernetike dhe me dronë

Irani ka dronë që ka përdorur në operacionet në Irak dhe kundër Izraelit. Besohet gjithashtu se një dron iranian është përdorur në shtator të vitit të kaluar, për të sulmuar objektet e naftës në Arabinë Saudite.

Garda Revolucionare krenohet gjithashtu me një njësi kibernetike që dihet se ka qenë përgjegjëse për disa sulme jashtë Iranit.

Pas vrasjes së Soleimanit, shumë kanë menduar se Irani mund të përgjigjet me sulme masive kibernetike kundër njësive amerikane dhe kjo frikë vazhdon pohojnë analistët.

Strategjia

Shumë analistë kanë parashikuar se Irani nuk do të hyjë në konflikt të hapur me armiqtë e tij, por do t’i shfrytëzojë burimet e tij për të kryer operacione asimetrike, në përpjekje për të dëmtuar forcat amerikane ose interesat amerikane në Lindjen e Mesme.


Shtuar 14.04.2024 09:02