Osmani: Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të japë vlerësime për projekt statutin e Asociacionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund të vlerësojë kushtetutshmërinë e projekt statutit të hartuar nga partnerët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, dua të ritheksoj se institucioni që do të duhej ta bëj këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha ajo.

Ajo i bëri këto komente në fjalimin vjetor në Parlamentin e Kosovës, në të cilin foli për procesin e bisedimeve me Serbinë dhe përballjen me rreziqet e sigurisë.

Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë.

Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Projekt statuti i Asociacionit që u bë publik kohët e fundit është kritikuar nga një pjesë e opozitës e cila vlerëson se ai dëmton karakterin unitar të shtetit.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha gjatë javës se projekt statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i paraqitur nga diplomacia perëndimore mund të ketë hapësirë për përmirësime, por nënvizoi që procesi i themelimit të tij duhet të ecë përpara me shpejtësi.

Ai shprehu shqetësimin me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave rreth Asociacionit, duke theksuar se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.


Shtuar 15.12.2023 19:00