Osmani godet Thaçin: Nuk harrojmë kush bëri më së shumti presion për themelimin e Speciales

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se nuk harron se kush ka insistuar më së shumti që të formohet Gjykata Speciale, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.

Osmani në konferencën për media së bashku me homologun e saj Ilir Meta duke folur për Specialen tha se sado që dikush ka dëshirë, nuk harrohet se kush ka insistuar që ajo të themelohet.

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, tha ajo

E pyetur nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë, Osmani tha se s’është me rëndësi vizita por është e rëndësishme të mbikqyret puna e Speciales në raport me të akuzuarit atje dhe se a po respektohen të drejtat e njeriut.

“Unë besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vet Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave të shohim se sa po zbatohen edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve në këtë rast sepse kemi të bëjmë edhe me një kontekst të lirive dhe të drejtave themelore. Mos të harrojmë që edhe ai amandament kushtetues edhe ligjet që janë miratuar më pastaj kanë për bazë një kapitull të tërë të lirive dhe të drejtave të njeriut të cilat ne si institucione duhet të sigurohemi se nuk shkilen. Pra me rëndësi është se çka ndërmarrim në këtë aspekt ne dhe jo vizitat me rëndësi është sa bashkëpunojmë ne dhe sa sigurohemi si shtet se të gjithë ata që akuzohen e kanë mbrojtjen e nevojshme të cilën sic e dini e paguan shteti i Kosovës dhe ka koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë të sigurohemi që ajo që është miratuar në Kuvend me 2/3 të zbatohet”, tha Osmani.

Në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020 gjenden ish-krerët e UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen si të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./express


Shtuar 22.07.2022 14:58