Moderatorja dhe producentja e njohur Orinda Huta ka ndarë një qëndrim të drejtpërdrejtë mbi realitetin e festivaleve muzikore në Shqipëri, duke vënë theksin te kostot e larta dhe lodhja emocionale që, sipas saj, shpesh shoqërojnë pjesëmarrjen në to.
Teksa ishte e ftuar ne ‘Andale’, Orinda u ndal te shpenzimet që artistët janë të detyruar të përballojnë, duke theksuar se vetëm realizimi i një kënge mund të arrijë shifra të konsiderueshme.
“Kur ti futesh dhe merr energji të keqe, dhe harxhon… kënga shkon 5 mijë euro, jo veshja. Janë shpenzime që të bëjnë të pyesësh veten: pse duhet t’i bëj unë këto?”, u shpreh ajo.
Sipas Orindës, përveç barrës financiare, ekziston edhe një aspekt emocional që shpesh anashkalohet. Ajo thekson se klima jo gjithmonë pozitive dhe energjia e gabuar brenda këtyre eventeve e bëjnë procesin edhe më të lodhshëm për artistët dhe figurat publike.
“Pastaj futet edhe energjia jo e mirë dhe e them: pse duhet të lodhem unë?”, shtoi moderatorja.
Deklarata e Orinda Hutës ka hapur diskutime mbi mënyrën se si organizohen festivalet në vend, duke ngritur pikëpyetje mbi mbështetjen reale ndaj artistëve dhe vlerën që u kthehet për sakrificat financiare dhe emocionale që ata bëjnë.
Në këtë kontekst, fjalët e saj shërbejnë si një reflektim i hapur për industrinë muzikore shqiptare.
