Opozita në protestë, policia rrethon kryqëzimet e akseve të Tiranës

Policia e Tiranës ka zbarkuar në kryqëzimet e akseve rrugore ku do të mbahet protesta e radhës e opozitës, e cila ashtu si në protestën e fundit ka lajmëruar bllokimin e disa prej nyjeve nevralgjike të kryeqytetit.

Më herët gjatë ditës së sotme, Policia doli me një komunikatë për mediat në lidhje me protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike.

Organizatorët kanë kërkuar 3 orë leje në Polici, prej orës 17:00, teksa do të bllokojnë disa prej akseve kryesore në kryeqytet.

Autoritetet bëjnë me dije se garantojnë të drejtën për tubim, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

“Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.” – thuhet në njoftim.

Uniformat blu paralajmërojnë se bllokimi i akseve rrugore është vepër penale dhe se kush ndërmerr akte të tilla do të përballet me pasojat.


Shtuar 23.12.2024 16:19