Tiranë- Durrës, një garë breshkash

Nga Lutfi Dervishi 

Rruga Tiranë – Durrës, 35 km, është shndërruar në një shteg ku breshka mbërrin me shpejt në destinacion se makina e tipit breshkë.

E projektuar për kapacitet 30 mijë makina në ditë, sot ky numër është trefishuar.

Shpejtësia e lejuar është 90 km/h, por për shkak të mbingarkesës nuk kalon 60 km/ore.

(Edhe kjo e keqe e ka një të mire. Kanë rralluar shoferet që ngasin mjetin me mbi 150km/ore dhe ndezin dhe shuajnë dritat e gjata si vetetima në një qiell të ngarkuar me re).

Tiranë -Durres, rruga më e frekuentuar në Shqipëri, zona ku gjysma e popullsisë ka zgjedhur të jetoje, hapësira ku lulëzon 70% e ekonomisë, ditët më të mira i ka patur në të shkuarën. Treni, që dikur përshkonte këtë segment, tani prehet në analet e historisë, krahas rrugës së vjetër të harruar Tiranë-Plepa.

Në një vend ku investimet rrjedhin si vera e Dionisit drejt çdo rruge të (pa)imagjinueshme, përveç atyre që lehtësojnë trafikun, saga vazhdon. Është një rregull i pashkruar në këto troje të lashta që njerëzit dhe ekonomia janë në një vend dhe investimet vërshojnë në një vend tjetër.

Dhe ky trafik është pa ardhur sezoni turistik!

Këtu, shpejtësia nuk ka kuptim të matet me km/orë, por me durim të shoqëruar me psherëtima dhe fuqia e makinave nuk duhet matur më me kuaj-fuqi, por më durim- fuqi ose vullnet- fuqi..

Tiranë-Durrës sot është jo vetëm dëshmi e durimit njerëzor, por edhe një kujtesë se, aventura më e madhe nuk është largimi nga Shqipëria. Sfida është të udhëtosh në këtë rrugë dhe të mos prishesh gojën me ata që luajnë me durimin e njerëzve si të ishte play station.

P.S. Lajmi se do të bëhet tenderi për zgjerimin e rrugës Tiranë- Durres më shumë se ngushëllues është acarues. Tani nis sfida e papërballueshme, fazave, segmenteve, loteve të panumërt dhe (të vetmes gjë që bëhet me plan në këtë vend) inspektimeve pa fund.

Ishte thënë se punimet do të nisnin në muajin mars…, ndoshta e kanë lënë për sezonin veror kur është dhe piku i qarkullimit.


Shtuar 25.03.2024 12:39