Pandi pa gojë!

Nga Erges Eskiu

Tensioni i Pandit do duhej të ishte ndaj Edi Ramës që shkatërroi PS-n dhe po shkatërron Shqipërinë!

Tensioni i Pandit do duhej të ishte ndaj Ramës që ka goditur fermerin dhe prodhimin vendas, i ka çuar fermerët në falimentim, në depresion, në vetvrasje ose në largim nga Shqipëria.

Tensioni i Pandit duhet të ishte për socialistët e thjeshtë të cilët vuajnë për të blerë ushqimet se nuk kanë minimum jetik, nuk kanë mundësi për të blerë ilaçet.

Tensioni i Pandit do duhej të ishte për socialistët që Edi Rama u ka ndare familjet dhe u ka grabitur pasuritë.

Tensioni i Pandit do duhej të ishte ndaj arrogancës se Ramës që nuk jep llogari për dëmet që ka bërë dhe për moslejimin e njerëzve të zgjedhin të lirë.

Tensioni i Pandit do duhej të ishte ndaj Ramës që ka 26 vjet në politikë, 24 vjet në pushtet dhe sillet me socialistet dhe gjithë shqiptarët si të ishte një pushtues i huaj e gjakpirës.

Tensioni i Pandit do duhej të ishte ndaj Ramës, që po shpopullon Shqipërinë, po e boshatis vendin, duke i bërë atë që asnjë armik i egër nuk ia ka bërë deri më sot.

Por jo, tensioni i Pandit është se Rama nuk do i jap mundësinë atij të jetë në parlament vitin tjetër, dhe këtë tension Pandi qoftë edhe në formë pendesë një “mea culpa”, që ka mbështetur autokratin Edi Rama nuk e shfryn dot ndaj Ramës dhe t’u thotë socialistëve të vërtetën, t’u kërkoj ndjesë publike, t’u bëj nderin e fundit apo respektin e fundit, por frikacaku Pandi tensionin e shfryn ndaj gazetares që e pyet: A ndiheni i rrezikuar për mandatin e deputetit me që nuk do jeni në listë të sigurt?

Impotenca intelektuale e Pandit për t’iu përgjigjur autokratit, që shkatërroi Partinë Socialiste dhe Shqipërinë, përkthehet në dhunë ndaj një gazetare pyetja e së cilës i heq “valvulën e presionit” Pandit që paska humbur qetësinë dhe si përgjigje ka dhunën.

I qeti Pandi reagon ndaj zonjës sepse fizikisht ajo është më e dobët se Pandi, reagon ndaj një gazetareje sepse është më pak e pushtetshme se drejtuesi i medias ku ajo punon dhe më pak e pushtetshme se politikani Pandi.

Impotenca e Pandit përkthehet në dhunë ndaj një zonje shtatzënë, ndaj një femre që duhet të shihet dhe respektohet si shenjtore sepse brenda saj po rrit një krijesë, një njeri, një ëngjëll që i jep kuptim jetës. Asaj zonje që po sjell në jete një fëmije, që i jep vetë jetës, jetë.

Tensioni i Pandit është i papranueshëm, por është edhe një dëshmi e alarmit që ngritëm se dhuna e Ramës ndaj Ambrozias, fyerjet ndaj saj dhe gazetarëve të tjerë do të imitohen nga anëtarë të pushtetit, nga bashkëpunëtorë të krimit dhe për fat të keq u imitua fillimisht nga më i qeti i pushtetit, ai që gojën, prej kohës së shembjes së Teatrit Kombëtar, e ka ende në periudhë post-operatore dhe nuk ka mundësi të përgjigjet me fjalë.


Shtuar 12.09.2024 18:39