Policia e Shtetit, një ditë me parë (20 qershor) zhvilloi një operacion në kampin e MEK në Manzë.
Mësohet se policia e Durrësit ka proceduar penalisht 6 persona nga kampi.
Këta persona janë vënë nën hetim për 4 vepra penale, shkatërrim prone për dhunimin e mjeteve të policisë, mosbindje e urdhrit të policisë, kundërshtim të vendimit të gjykatës, dhe goditje për shkak të detyrës.
Sakaq lidhur me tensionet dhe dhunën e pretenduar të policisë nga anëtarët e MEK, pritet që të merren në pyetje disa persona nga brenda kampit.
Prokuroria e Durrësit vijon punën për të zbardhur atë çfarë ndodhi të martën brenda kampit, ku përfaqësues të MEK pretendonin se janë dhunuar dhe një person ka humbur jetën.
Policia e Shtetit zhvilloi dje një kontroll të gjerë në kampin e Muxhahedinëve të MEK në Manzë të Durrësit pas një vendimi të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Gjatë kontrollit pati pëplasje mes policisë dhe muxhahedinëve në kamp, të cilët rezistuan për të dhënë dokumentacionin e kërkuar si edhe hapjen e të gjitha ambienteve.
Nga përplasja dhe përdorimi i gazit lotsjellës pati edhe një të vdekur si edhe disa të lënduar, ndërsa në kamp ka shkuar edhe një prokuror nga Prokuroria e Durrësit për të hetuar rrethanat e humbjes së jetës së muxhahedinit. Paraprakisht dyshohet se ia ndërroi jetë nga infarkti.
Ndërkohë, mësohet se nga kontrollet në kamp janë gjetur edhe servera, nga të cilët dyshohet se janë kryer sulme kibernetike. Nuk ka ende të dhëna nëse sulmet kanë qenë brenda vendit apo kanë shënjestruar vende të tjera.
Në një reagim të mëvonshëm Ministria e Brendshme tha se muxhahedinët kishin shkelur marrëveshjen pasi ata janë këtu vetëm për strehim dhe qëllime humanitare dhe jo për të kryer veprimtari të tjera. Pritet që në orët në vijim të jepet një informacion i detajuar nga Policia e Shtetit në lidhje me dyshimet e forcave të rendit dhe ecurinë e këtij operacioni./Albeu.com.