Policia në Fier ka vënë në pranga një 47-vjeçar dhe djalin e tij për kultivim, prodhim dhe shitje narkotikësh. Bëhet e ditur se me finalizimin e operacionit të koduar policor ” “Kreshpan” në pranga u vu A. H., 47 vjeç dhe E. H., 24 vjeç banues në Kreshpan, Fier, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i tij 23-vjeçari D. H.
Nga veprimet hetimore rezultoi se babai dhe dy djemtë kultivonin, prodhonin dhe shisnin narkotikë. Pas kontrolleve në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu pa leje, 2 automjete, 40,800 euro dhe 3000 dollarë, të dyshuara të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në një sipërfaqe toke në pronësi të tyre u gjetën të kultivuara 163 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.