Nxënësit rikthehen nesër në shkolla, ministrja Kushi apel: Shtoni kujdesin!

Pushimeve të festave të fundvitit u ka ardhur fundi dhe nesër nxënësit rikthehen në shkolla. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një postimi në Facebook, ka këshilluar nxënësi të kenë kujdes të shtuar ndaj higjienës de të respektojnë masat anti-Covid.

Postimi i Evis Kushit:

Të dashur nxënës,

Shpresoj të keni kaluar festa e pushime të gëzuara, e të keni mbledhur plot energji që nesër t’u riktheheni shkollave plot dëshirë e pasion për të mësuar më shumë.

Rikthimi në shkollë ju bën bashkë me shoqet, shokët, mësuesit, të kaloni çaste të bukura, por edhe të mbështesni më shumë njëri-tjetrin.

Ndërkohë dua t’ju kujtoj edhe një herë që të kemi kujdes të shtuar për higjienën dhe të gjitha masat kundër pandemisë. Shkollat e hapura dhe mësimi në prezencë fizike kërkon vëmendjen dhe përgjegjësinë e të gjithëve bashkë.

Ju uroj shumë suksese dhe vit të mbarë!/albeu.com


Shtuar 4.01.2022 11:35