Skandali me blerjen e votave në Dibër, PS ia hedh “fajin” LSI: Nuk janë njerëzit tanë!

 Policia e Dibrës ka arrestuar dy pasi u kapën me një shumë të konsiderueshme parash, që dyshohet se po përdoreshin për të blerë vota.

Policia njofton se është arrestuar A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Kujtojmë që makina me të cilën ata po qarkullonin dhe ku u gjetën paratë, u bllokua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike.  Atyre iu sekuestrua shuma prej rreth 700 mijë lekësh të reja.

 PD nëpërmjet grupit të mbrojtjes së votave, të kryesuar nga Xhelal Mziu kishin akuzuar për këtë PS-në që po blinte votat në zonën e Maqellarës. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Partia Socialiste e Dibrës, e cila e ka hedhur poshtë një lajm të tillë.

“Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim,” përfundon deklarata.

Reagimi i plotë i PS-së

Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste Dibër, informon opinionin publik për sa më poshtë:
PS e Dibrës mbështet pa asnjë rezervë hetimin dhe zbardhjen deri në fund të rastit të djeshëm, ku një turmë e orkestruar njerëzish ndaluan një makinë me pretendimin se kishin kapur një votëblerës socialist. Për ne çdo individ që përfshihet apo kryen një krim elektoral nuk ka ngjyrë, po meriton vetëm ndëshkim.

Por pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie.

Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim.


Shtuar 23.04.2021 14:51