Nuk u takua me Erdogan, flet Presidenti Meta: Nuk kam keqardhje, kisha axhendë shumë të ngjeshur sot

Presidenti Ilir Meta nuk ishte pjesë e pritjes që ju bë presidentit turk Erdogan në Shqipëri.

Meta ka reaguar lidhur me këtë fakt, duke thënë se Erdogan ishte i ftuar i Qeverisë dhe nuk kishte asnjë lloj keqardhje që nuk ishte pjesë e pritjes.

Ai tha se nëse do kërkonte ndonjë takim sot, do bënte sforcim për ta takuar pasi ka pasur një axhendë shumë të ngarkuar.

“Sot ka qenë një ditë shumë e jashtëzakonshme për mua, i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nuk kam arsye të kem ndonjë keqardhje që nuk kam takuar z.Erdogan. Z.Erdogan ka qenë i ftuar i Qeverisë dhe është sjellë si i ftuar i Qeverisë. Uroj të ketë kaluar sa më mirë në Shqipëri. Nëse do kërkonte një takim sot do bëja një sforcim për ta takuar sepse kam pasur një axhendë vërtet shumë të ngarkuar, por nuk ka kërkuar takim. Z.Erdogan nuk ka qenë i ftuar nga unë. Doja të falënderoja me shumë mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare që i kanë dhënë popullit shqiptar”, deklaroi Meta në Syri Tv.

Ai nuk ka dashur të japë komente për vizitën e presidentit turk.

“Kam pasur një ditë shumë të mirë sot. Në kalendarin tim 17 janari, 2 marsi dhe 28-29 nëntori janë data shumë të rëndësishme. Nuk kam asnjë koment për vizitën e z.Erdogan sepse siç ju thashë jam shumë i lumtur që axhenda ime sot ka qenë plotësisht e fokusuar tek përkujtimi i veprës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Meta./albeu.com/


Shtuar 17.01.2022 22:26