Nuk mori pjesë ne pritjen e Clinton në Tiranë, Bardhi: Ceremoni private e Ramës, duhej nderuar nga presidenti

Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi ka shpjegur arsyet pse nuk mori pjesë në ceremoninë e pritjes së ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

Ai tha se kishte marrë një ftesë për të shkuar, por megjithatë e refuzoi. Sipas tij vlerësimi i Clinton duhej bërë nga presidenti i republikës, teksa theksoi se e sotmja ishte një ceremoni private e kryeministrit Edi Rama.

“Presidenti Clinton është mik i Shqipërisë, shqiptarëve dhe kombit shqiptar. Çdo shqiptar i është përjetë mirënjohës Presidentit Clinton për atë që ka bërë për kombin shqiptar dhe veçanërisht për Kosovën. Figura e Presidentit Clinton meriton vlerësimin e të gjithë kombit shqiptar dhe çdo vlerësim i figurës së tij mund dhe duhet të bëhej nga Presidenti i Republikës me dekoratën më të lart shtetërore. Sot nuk ka pasur një ceremoni shtetërore të nderimit të rolit dhe figurës së tij, por një ceremoni private të Edi Ramës, diktuar që në ftesë. Pjesë e shoë-t të Edi Ramës kam refuzuar dhe do të refuzoj gjithmonë të bëhem pjesë”, ka thënë Bardhi për News 24.

Ndërkohë, edhe Presidenti Bajram Begaj mungoi sot në ceremoninë e mikpritjes së ish-presidentit Bill Clinton, për shkak të problemeve shëndetësore.

 


Shtuar 3.07.2023 21:18